Punimet për ndërtimin e një hidrocentrali dhe fabrikes së ujit në zonën e Mirditës, ka ngritur në protestë burra e gra të fshatrave Thirrë dhe Sang në Njësinë Adminitrative të Fanit.
Kompania “sang1”, sipas tyre ka falsifikuar firmat në dokumentet ligjore që ka dorëzuar në institucionet shtetorore për të siguruar lejen e ndërtimit të hidrocentralit (Thirrë-Sang), dhe fabrikës së ujit të pishëm (Krazhna).
“ Ne marrim ujë 3 km e 200 m nga përroi i Qarrit deri në Sang dhe nga ’90 e deri sot ne kemi gjysmën e tokës pa vaditje pasi nuk kemi ujë. Po na morën dhe ujin ne do ngelemi pa asgjë” shprehet një banor.
“Ne me atë ujë dhe atë mal kemi jetuar , po na morën dhe ujin le të na marrin dhe shpirtin”, thotët një e moshuar.
“Janë mbi 100 ha tokë në këtë fshat, kompania private ka falsifikuar duke paraqitur në dokumentin ligjor firma fallso nga banorët e fshatit”, shprehet një banor tjetër.
Banorët kanë depozituar padi në prokurori për falsifikimin e firmave si dhe ankesë në bashkinë e Mirditës.
“Përgjegjësia fillon tek Kryetari i Bashkisë, Ndrec Deda, adminitratori Kolin Marku, që ata marrin rrogën për t’i ruajtur pyjet dhe tani po paguhen për t’i shkatërruar”, thotë një banor tjetër.
“I bëj thirrje Byrosë Kombëtare të hetimit dhe SPAKUT në emër të të gjithë banorëve të fshatit Thirrë, një prokurorë i posaçëm dhe ta fillojmë këtu drejtësinë për këtë vend”, shprehet një i moshuar.
“Në fshatin tonë po mblidhen të gjitha burimet e futen nëpër tuba. Pra, thahet e gjithë pjesa e lumit. Dëgjesa e banorëve të Thirrës, që është bërë, këtu janë 19 firma dhe 5 nga këto janë falsifikuar. Të gjitha këto dokumenta ja kemi vënë në dispozicion Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve të shtetit”, thotë një banor i fshatit.
Punimet kanë nisur në gusht të 2020-ës ku burimet e ujit po përdoren për të ndertuar një hidrocentral, projekt nga i cili preken rreth 500 banorë të zonës.
Shfrytëzimi i ujit për prodhimin e energjisë rrezikon të lërë pa ujë të pijshëm, pa vaditje si dhe të shkatërrojë ekosistemin e zonës së Fanit.