MIRDITË-Policia ka arrestuar 2 vëllezër, pasi gjatë kontrolleve në banesë e magazinë iu gjetën kanabis, armë dhe radiomarrëse si të policisë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan operacionin policor të koduar “Double Strike”, ku në pranga kanë rënë vëllezërit Ilir Deda, 40-vjeç dhe Pashk Deda, 45-vjeç, banues në fshatin Kullaxhi.
Sipas policisë, nga kontrolli në magazinë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre thasë me kanabis në formë boçeje, gjithsej 24.5 kilogramë, ndërsa nga kontrolli në banesë u gjetën dy armë zjarri ( kallashnikov e pushkë), 4 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 1 shkop gome, 1 shkop bejzbolli, 1297 fishekë luftarak dhe 17 fishekë çifteje.
‘Armët e zjarrit do dërgohen për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore për të parë nëse janë përdorur më parë për kryerje të veprave penale kundër personit’, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, kryer në bashkëpunim.