Mirditë- Po kujdesej (ujitje dhe plehërim) për kanabisin që kishte mbjellë në parcelën e hapur në pyjet e Mirditës, arrestohet në flagrancë 59-vjeçari nga Kurbini.
Policia e Lezhës bëri me dije sot se finalizoi një tjetër fazë të operacionit të koduar “Koordinata”, për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Në pranga ka rënë i dyshuari Fran Biba, banues në Kurbin. Parcela me 42 rrënjë hashashi u zbulua në fshatin Shpërdhazë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Shpërdhazë, njësia administrative Kaçinar, u zbulua një parcelë me 42 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Autori i dyshuar, shtetasi F. B., 59 vjeç, banues në Kurbin, u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Kurse materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente
