Mirditë- Një elektricist i OSHEE-së është aksidentuar rëndë gjatë punës në Mirditë dhe u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi u zu nën vete nga disa shtylla druri që po shkarkoheshin nga kamionçina.
Policia e Lezhës konfirmoi ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme (4 mars), kur edhe është njoftuar se ka shkuar për të marrë mjekim në spital punonjësi Gj. R., 64 vjeç, banues në Mirditë, me detyrë elektricist i OSHEE-së.
“Ai dyshohet se është dëmtuar nga disa shtylla prej druri, gjatë shkarkimit të tyre nga kamionçina. 64-vjeçari është aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit”, tha policia, por pa dhënë detaje të tjera rreth dinamikës.
Sipas burimeve, 64-vjeçari ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti në punë, ku mbeti i plagosur elektricisti Mirditor.
Gazetari i Report TV, Elvis Hila, informon se edhe Inspektoriati Shtetëror i Punës ka nisur verifikimet në lidhje me rastin, për të parë nëse janë zbatuar apo jo rregullat e sigurisë në punë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Punonjësit e OSHEE kryesisht elektricistët, përballen shpesh-herë me kushte të vështira pune, duke rrezikuar edhe jetën për riparimin e defekteve që shkaktohen në rrjetin elektrik, ku në disa zona të qarkut të Lezhës është tejet e amortizuar.
Komente
