Mirush Kabashi, jeta e panjohur pas shkëlqimit skenik. Amaneti për gjuhën shqipe që i solli nga Gjakova në Shqipëri (VIDEO)

8 Janar 2020, 07:05| Përditesimi: 8 Janar 2020, 10:51

  • Share

Mirush Kabashi, aktori i madh  shqiptar që elektrizon publikun sa herë ngjitet në skenë, ai që i jep shpirt dhe emocion fjalës, rrëfehet për herë të parë për jetën dhe kalvarin e familjes së tij kosovare.

Pasi gjyshi i tij Saliu u vra nga serbët, për familjen  gjakovare Kabashi nisën të tjera vuajtje në atdheun mëmë.

Amaneti që djali i tij i vetëm, Musai, babai i Mirushit,  të shkollohej në Shqipëri, sepse serbët nuk e lejonin çeljen e shkollave shqipe, do ta ndryshonte në një mënyrë të paparashikueshme jetën e familjes së aktorit. 

I lindur në vitin 1948 në Shkodër, Mirush Kabashi, aktori që nuk njeh moshë për energjinë, plastikën dhe ekspresivitetin burimor të shpirtit të tij artistik, do të mbetet i paharrueshëm me Sokratin, rolin më brilant në mesin e 100 roleve të luajtura gjatë jetës së tij në teatër e kinema.

Por filozofia e Sokratit, duket se e paska udhëhequr ende pa e ditur jetën e aktorit dhe familjes Kabashi në kalvarin e persekutimeve të diktaturës, që u vendos në Shqipëri pas 1944-s.

Në intervistën ekskluzive për Report Tv, bashkë me ngjitjet, shkëlqimet dhe  privimet nga skena, aktori rrëfen jetën e familjes gjakovare përgjatë gati një shekulli në Shqipëri, nga Tirana në Kavajë e në Shkodër. Kalvari i familjes së aktorit nis me burgosjen e babait, Musa Kabashin, pa asnjë shkak, vetëm se paskej studiuar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. 

Të tjera dënime pasuan në familjen Kabashi me burgosjen e dajës Hysen Çela, si gjoja spiun i amerikanëve dhe masakrimi e zhdukja e eshtrave të dajës tjetër Skënder Çela. 

Këto histori dhe një fjalë përgëzuese e Enver Hoxhës për talentin e aktorëve Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi sjellin për publikun jetën e panjohur të aktorit pas shkëlqimit dhe sfidave të karrierës së tij.

Intervista
Zoti Kabashi, ne e dimë që origjina juaj është nga Kosova, por cila është vendlindja juaj?
-Jam me origjinë nga Kosova tamam. Im atë ka lindur në Gjakovë ose ka qenë 24 karat gjakovar. Bile pati fatin që  vdiq pas çlirimit të Kosovës dhe ka kërkuar e ka shkuar në Gjakovë  vetëm e vetëm për të vdekur atje. Madje atje e ka varrin dhe na ka lënë një spirancë më të fortë që ne kurrë  të mos harrojnë prejardhjen tonë. Babai im është shpërngulur nga Gjakova rreth viteve 1924-1925. Domethënë im at ka qenë djali i vetëm i Mirushes dhe Saliut, gjyshit e gjyshes sime. Unë kam emrin e gjyshes, prindërit e mi vedosën të ma vinin mua nga Mirushe në Mirush sepse nuk kishin një vajzë, kishin vetëm djem.

Gjyshin tonë e kanë vrarë serbët. Im atë nuk  ka njohur të atin, dhe gjyshja ime Mirushja e  dinte amanetin e tij që ta shkollonte të birin në shkollat shqipe. Sepse Saliu, babai i tim ati, ashtu si të gjithë gjakovarët kishte shumë interes për kulturën shqiptare, dhe lufta për alfabetin që ka bërë atëherë,  se në Kosovë shkollat ishin vetëm në gjuhën serbe ose turke i nxiti dëshirën për shkollimin në gjuhën shqipe. Dhe babain tim, edhe pse ishte djalë i vetëm, “djalë dëshirit”, gjyshja vendosi që ta dërgonte në shkollë në Shqipëri, dhe ai bashkë me një shok kaluan kufirin dhe erdhën në Tiranë, vetëm për t’u shkolluar këtu ku gjetëm mbështetje tek disa njerëz disa miq që kishim prej Gjakove dhe e regjistruan në shkollën e Fultz-it siç quhej në atë kohë.

Pastaj vjen jetesa juaj në Shkodër, që lidhet me fëmijërinë tuaj. Çfarë kujtime ke nga fëmijëria në qytetin e Shkodrës?
-Më lejo të bëjë një plotësim të vogël për hir të tim ati edhe të nënës. Im atë pasi mbaroi shkollën amerikane, e caktuan në Centralin Elektrik të Kavajës atje si përgjegjës, tek “Sesaj” një kompani italiane. Dy vëllezërit e mi kanë lindur në Kavajë dhe ai kishte një debulesë për Kavajën, dhe im atë edhe pse u largua në vitin 1946 nga Kavaja, nuk pushonte së foluri për Kavajën. Natyrisht pas Gjakovës, debulesa e tij më e madhe ishte Kavaja.

Dhe pastaj im atë ndenji në Durrës se doli nevoja atje, dhe pastaj e çuan në Shkodër si drejtor teknik të Shkodrës. Dhe në Shkodër e arrestuan dhe e futën në burg. Sepse nxënësit e shkollës amerikane i konsideronin si spiunë amerikanë. Madje-madje disa prej atyre edhe i zhdukën. Kështu dhe tim at e futën në burg dhe e kanë mbajtur dy vjet në Birucë. Unë thashë se pati “fatin e mirë” që e futën në burg në Shkodër, sepse shkodranët me atë shpirtin e tyre të mirë e të butë që kanë, guxonin dhe i afroheshin kryetarit të degës e i thoshin “Zoti Hilmi, ju e dini vetë, po ai kosovari është burrë i mirë. Ai na ka dhënë dritë.... Ju e dini vetë, xhanëm, po....”

Në Shkodër linda dhe unë, dhe nëna e pati shuam të vështirë me tre djem për të na rritur dhe të mos kishte qenë, ajo që ne ia dimë shumë për nder një zonjë çifute, Stela Ardit e quanin, që na trokiti në derë natën dhe i dha nënës sime tolonat e ushqimit për të na ndihmuar, e ndërsa nëna nuk deshi t’i pranonte dhe i tha, të falënderoj por unë s’mund t’i mbaj, sepse nuk do të mundem t’ua kthej. Por ajo i tha: “Jo zonja Menduje mbajini, rrisni ata fëmijë, se unë ia dalë gjithsesi!”

Pra ju u rritën me dashurinë e shkodranëve, besoj se edhe filimet e tuja si aktor kanë nisur në atë qyte të artit?
- Në fakt unë duhet të saktësoj, se vetëm më gjuhën shqipe, të flas shqip unë kam filluar në Shkodër, dhe isha shumë i vogël, unë deri në pesë vjkeç ndenja në Shkodër, dhe pastaj në Durrës filloi gjithçka. Nuk mund të them se nisa të shfaq debulesë për artin. Në Durrës pastaj unw atje jam shkolluar, atje kam punuar, atje jam martuar dhe 23 vjet punë unë i kam bërë në Durrës.

Dhe duhet të më tregoni sesi nisi dëshira për aktrim?
-Në fakt ne të katër djemtë e Musait dhe Mendujesë kemi qenë shumë të prirur për shkollë, ngaqë kishim edhe një problem të babait që pavarësisht se u mbajt dy vjet në birucë dhe falë agjentit shkodran u lirua, sërish unë isha edhe nipi i Hysen Çelës, sepse kjo martesë midis nënës dhe babait ë mi u bë falë dajës, sepse  daja ishte nga studentët më të dalluar të shkollës  amerikane. Ky, meqë babai nga Gjakova ishte jabanxhi, atëherë e afroi dhe ftoi e në shtëpi. Aty u njohën me një nga motrat e Hysenit Mendujenë dhe kështu u lidhën dhe u martuan. Mirëpo Hysenin  e arrestuan dhe e dënuan me 25 vjet burg dhe për pak gjë i ka shpëtuar edhe  pushkatimit, i akuzuar si spiunë i amerikanëve. Dhe daja ishte zotërues i pesë gjuhëve të huaja, dhe në fakt kur pati ardhur  Fultz në ‘47-n e kërkoi me emër Hysenin për të përkthyer  dy libra të karakterit bujqësor.

Daja i nuk ka qenë aty, por fakti që Fultz kërkoi Hysenin që t’i përkthente librat e vuri në shënjestër dhe atë e patën dënuar me burg. Ndërkohë edhe një dajë tjetër i imi, i cili pati mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës, që kishte një shkollë me ide iluministe dhe shumë e zhvilluar, me dy gjuhë të huaja frëngjisht e italisht të shkruar, dhe ngaqë ishte edhe shok i ngushët i Nako Spiros, ishte përfshirë në  Lëvizjen Nacionalçlirimtare, por mbas çlirimit atë konsideruan si revizionist, si krijues i Partisë Socialdemokrate dhe e kanë pushkatuar pa gjyq, me një urdhër të Enver Hoxhës, i mbartur dhe i dërguar në Korçë nga Koçi Xoxe, ku  në Korçë ishin Beqir Balluku dhe Panajot Plaku si komisar e komandant i divizionit dhe e kanë konsideruar si të arratisur së bashku me një shokun e tij  Mark Toçin. Mbas transformimit të proceseve demokratike unë kam qenë 17-18 vjet me kërkimin e eshtrave, sepse i qante gjyshja sa qe gjallë dhe kujtonte se mos ndoshta ishte gjallë i biri në një vend tjetër. Në fakt ai ishte masakruar barbarisht.

Dhe ju përveç faktit që ishit një familje pa të afërmit tuaj pranë, keni qenë edhe një familje që i duhej të sfidonte shumë probleme që u krijonte dikatura?!
-Të falënderoj, se ju thatë atë që është. Ne kemi punuar shumë dhe kemi ulur kokën në kryerjen e detyrave që na kishin caktuar. Ndoshta kjo rrethanë apo ndoshta është edhe problemi i genit, që ia dolëm, sepse babai ishte shumë punëtor.

Si nisi hapi i parë i aktrimit. Mund ta kujtoni këtë moment?
-Po e kujtoj, e kujtoj shumë mirë këtë moment. Ka nisur në shkollën fillore. Në shkollën fillore kisha qejf të recitoja por dhe isha goxha i ndrojtur, dhe nuk e harroj njeherë për Vitin e Ri, që do na çonin tek Vila e Zogut. Atëherë dhe vila ishte një gjë e mrekullueshme. U bë një konkurs ku pozinë duhej ta bëje vetë. Unë shkrova një poezi dhe ajo fitoi dhe unë shkova atje dhe e recitova. Ishte e paharrueshme. Kështu fillova pak nga pak të aktivizohen. Në gjimnaz dhashë ca shenja, por unë i kisha dyert e mbyllura, sepse isha djali i tretë. Vëllai i madh kishte mbaruar kimi industriale me “Medalje Ari”, dhe vetëm njëri duhet të shkonte nga familjet punëtore në Universitet. Përjashtim bënte vetëm matematika nga ky rregull dhe shkoi në universitet edhe vëllai i dytë. Ndërsa e vetmja mundësi që unë të merrja një shkollë të lartë ishte aktrimi, sepse aktrimi fitohej me konkurs.

Atëherë ngjitja e parë në skenë si aktor si ju kujtohet?
-Taman roli im i parë ishte kur pata fatin e madh që u caktova në Teatrin e Durrësit pënjëherë. Roli i parë ka qenë Klestakovi, nga “Revizori” i Gogolit. Ishte një besim jashtëzakonisht i madh i Vangjel Hebës, një aktor dhe artist me shumë vlera, gati-gati sinonim i teatrit të Durrësit dhe Grovnicin personazhi tjetër kryesor i kësaj komedie me nivel botëror do të ishte Nikolin Xhoja. Por Nikolini, tamam në atë periudhë, u inkuadrua me filmin “Kapedani” dhe mua më mbeti të luaja me një koleg tjetër shumë të mirë, Milto Profin, dhe pastaj erdhën role të tjera  e të tjera, duke u nisur nga ky start që qe shumë i mirë. Dhe pastaj nisa me pjesë të tjera me karaktere. Me komedinë nisën të më “shfrytëzonin” shumë, sepse tetari i Durrësit ka qenë teatri i satirës, ku e kryesonte kryesisht Nikolin Xhoja,  Lyftiu, Vera Urumi, Marta Burda, etj

Unë ju kujtoj me një rol të hershëm në kinema, që ishte një rol fantastik, që ka qenë filmi “Zëvendësi i grave”. Si u përfshitë në këtë rol?
-Fehmi Oshafi ka qenë regjisor i filmit. Nuk e di pse i ishte fiksuar që këtë personazh do ta luaja unë.

Çfarë është për ju ky rol që ishte ndryshe nga skena, sepse në film është më vështirë për ta lexuar personazhin komik sesa në teatër, dhe është vërtetë shumë e vështirë të interpretosh si ju me atë pnatonimë e plastikë të shkëlqyer...Çfarë shënoi për ty si rol?
-Për këtë duhet pyetur regjisori. Por unë kam punuar shumë. Sepse edhe në variete më aktivizonin, edhe në teatër dhe kam punuar se unë vetëm nëpërmjet punës mund të çaja, dhe duhet të dish edhe një gjë se mua në ‘74-n më kanë hequr nga teatri. Ishte manjiliteti i tyre për këto problemet e dajave dhe më çuan në hekurudhë. Qe një vrasje shpirtërore dhe mendova se nuk do të jem më në skenë. Por atje m’u dha e drejta që të merrja pjese me grupet artistike të ndërmarrjes së hekurudhave. Dhe pastaj papritur e pa kujtuar ashtu rrodhën ngjarjet më kthyen përsëri, sepse dënimi im nisi pse nuk shkrova në biografi dajën e pushkatuar dhe unë u thashë se unë nuk kam asnjë dokument që është pushkatuar, sepse nuk kishte në të vërtetë dhe nuk zgjati ky dënim. Pastaj më kthyen në punë. Pastaj nuk kam pse mos ta them që një satisfaksion dhe një lloj ngrohtësie më dha edhe fakti që më dhanë titullin “Artist i Merituar”.

Madje tamam-tamam ka qenë kur në një festival filmi  Enver Hoxha përmendi dy artistë, dhe tha: “Mirë, kemi këtu artistë të mëdhenj si Tinka Kurtin, Sandër Prosin, Violeta Manushin, etj, por unë kam parë dhe nja dy të tjerë. Robert Ndrenika më kanë thënë se ka probleme biografike, ka një vëlla të arratisur, por është aktor i mirë. Po ai tjetri që i merret goja, more, belbacuk është ai?!” “Jo.” -i thanë ata. “Po ja, kemi dhe aktorë të tjerë të rinj...” Mendo, në atë kohë të fliste kështu Enver Hoxha ishte një gjë shumë e madhe dhe m’u hap edhe një dritare që unë të prezantoja Vitin e Ri.

Çfarë ndryshoi pas ’91- shit për juve?
-Në një farë mënyrë ndryshoi ajo që ndryshoi për të gjithë shqiptarët, mentaliteti dhe psikoza  e survejimit, e përndjekjes .. U çliruam nga psikoza e saj, madje u çliruam aq shumë sa atë fjalën e lirë ne filluam ta keqpërdorim, ta shpërdorojmë. Jo rastësisht unë, një nga poezitë e  Xhevahir Spahiut “Fjala” e kam mësuar dhe e kam mbajtur si një bagazhet poetike shumë-shumë domethënëse.

Recitimi i vargjeve nga Mirush Kabashi:
“I thanë fjalës: tani je e lirë
Po fjala s’kish fuqi t’u thoshte: nuk më duhet
E ç’më duhet
kur s’u thashë atëherë kur duhet?
Kam mbetur pa krahë,
Kam mbetur pa qiell,
Jam jetë pa ëndërr,
Jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë
Vështirë, tha fjala, sa vështirë
Të besosh se je e lirë;
Pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
Pasi ke mbetur cung
Dhe liria bëhet burg.
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu:
S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhëton
I thanë fjalës: ti je liria
Për ta kuptuar këtë duhet fare pak
Ajo e besoi,
Ajo hapi gojën,
Por në vend të tingujve
Prej saj doli gjak.” 

Shkruar nga Xhevahir Spahiu

Këto ditë ju u nderuat me çmimin “Honoris Causa” në Maqedoni. Si erdhi ky nderim me çfarë motivacioni?
-Kjo më erdhi e papritur. Me rastin e 25-vjetorit të Universietit që i kanë vënë edhe emrin e Fadil Sulejmanit, të parit rektor të universitetit  që i kanë bërë edhe shtatoren me një laps e fletore në dorë, sepse ashtu iu doli përpara militarëve serbë të armatosur, kur ata vranë edhe një person. Ishte e papritur dhe kjo e papritur më gëzoi më shumë.  

Cili është roli juaj që ëndërroni ta ngjisni në skenë. Çfarë ëndërre keni për të ardhmen tuja artistike?
-Të falënderoj që me evokon një dëshirë shumë të madhe që unë e kam pasur ëndërr gjithë jetën...! Është Siranon De Boxhrak -Cyrano de Bergerac-fr.  titulli i një komedie franceze e shkruar në shekullin e 11-të nga Edmond Rostand, e luajtur në teatro të botës dhe në filma, edhe në Hollivud. Unë këtë pata shumë dëshirë për ta vënë në skenë. Madje erdhi dhe një regjisor për ta bërë me mua, duke premtuar 60 për qind të fondeve nga ai dhe 40 për qind t’i gjente Ministria jonë e Kulturës, por nuk qe e thënë...! Unë i mbaj mend përmendësh disa nga vargjet.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?