Vijon intervista me Ndue Mëlyshin me origjinë nga Mirdita, i cili ka treguar historinë e panjohur të familjes së tij. Ndue Mëlyshit vjen me një dëshmi të rrallë se si u detyrua të dilte në arrati në vitin 1947 së bashku me vëllanë e tij kapiten Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, (personazhi kryesor i filmit “Operacioni Zjarri”) pasi komunistët iu dogjën kullat e tyre dhe u internuan të gjithë familjen me gra dhe fëmijë në kampet e Krujës, Beratit, Tepelenës etj.
Zoti Ndue, cili ishte qëllimi i atij misioni sekret që u sugjeroi majori UDB-së për të kryer në Shqipëri?
Sipas tij, qëllimi i misionit sekret që ne do të kryenim në Shqipëri, ishte për të parë nga afër situatën e brendëshme që mbizotëronte aty dhe ne do të ktheheshim përsëri për një kohë fare të shkurtër në Jugosllavi. Pas kësaj, ai shtoi se të gjithë shokët e tjerë të grupit tonë, pa asnjë përjashtim, ishte marrë vendimi dhe do t’i dërgonin në punë të ndryshme dhe me rrogë të mirë, duke pasur të gjitha të drejtat dhe liritë njëlloj siç i gëzonin të gjithë shtetasit jugosllav.
Çfarë përgjigjie i dhatë oficerit jugosllav të UDB-së?
Pas propozimit që na bëri, ai na la vetëm për një kohë që ne të bisedonim me njëri tjetrin të qetë dhe pa paraninë e tij, e më pas t’i jepnim një përgjigjie.
Çfarë biseduat ju dhe si vendosët?
Ne biseduam me njëri tjetrin dhe ramë të gjithë në një mëndje se: nisur nga situata tepër e vështirë ku ndodheshin shokët tanë në burgun e Nishit, (ku edhe pse kishte disa kushte, ai përsëri burg mbetej), si dhe duke pasur gjithnjë mëndjen tek familjet tona dhe njerzit që na kishin mbajtur me bukë e strehuar gjatë jetës sonë të malit në Shqipëri, pra për të ditur fatin e tyre, si dhe duke pasur gjithashtu një shpresë se shtetet Perendimore po interesoheshin për ne dhe idealet antikomuniste për të cilat po luftonim, vendosëm që t’i thonim po, propozimit që na bëri majori Çedo Mihjoviç.
Çfarë bëtë pasi i’u përgjigjët pozitivisht “ofertës” së tij?
Pas kësaj së bashku me të, pasi u hartuan listat e grupeve me nga tre persona, ai u nis për në Beograd për të marrë miratimin e shefave të tij, duke na lënë ne në pritje kur të kthehej që të na takonte përsëri.
Kur u kthye ai dhe çfarë u tha?
Majori Çedo Mihjoviç u kthye më datën 10 qershor dhe na tregoi se ishte miratuar plani i tij, por që ishte bërë një ndryshim në ato që ai na kishte parashtruar.
Çfarë ndryshimi?
Nuk do ishin gjashtë grupe me nga tre persona sikur na tha në fillim, por vetëm një grup me tre persona. Nga këta dy veta do ishin shoqërues, kurse i treti do ishte kryetar i grupit dhe vetëm ai do të dinte gjithçka për misionin që do kryhej.
Dhe kush u zgjodhën për të ardhur me mision në Shqipëri?
Në prani të Çedo Mihjoviçit, u zgjodha unë me Mark Jak Bajraktarin dhe Pjetër Çup Qafën. Pas kësaj, sipas fjalës që na kishte dhënë, po atë ditë, majori Mihjoviç i liroi nga burgu të gjithë shokët tanë dhe me kamiona i nis për në Ovskar Banja (Serbi), ku ata do të punonin si punëtor me rrogë pranë një Centrali Elektrik që po ndërtohej mbi lumin Ibar.
Ç’ndodhi më pas me ju, ku u dërguan?
Pas dhjetë ditësh, ne na erdhi dhe na morri një oficer dhe na dërgoi në Prishtinë, ku na priste majori Çedo Mihjoviç dhe pas kërkesës sonë, ai na lejoi që të shkonim dhe të bënim një vizitë tek shtëpia e Pjetër Çupit në Vuçiternë, ku ne qëndruam vetëm një natë. Të nesërmen na morrën dhe na dërguan në qytetin e Gjakovës, ku na sistemuan në një shtëpi që ishte disi e larguar nga zona e banuar dhe aty vinte vetëm një oficer që na sillte ushqimin.
Sa kohë qëndruat në atë shtëpi?
Aty ne qëndruam rreth dy javë dhe gjatë atyre ditëve ne na shërbente një zonjë komuniste, e cila na bënte shërbimet dhe ne e morëm disi veten nga vuajtjet që kishim kaluar gjatë periudhës që ndënjëm në burgun e Nishit. Një ditë para se të largoheshim nga ajo shtëpi për t’u nisur me mision sekret për në Shqipëri, ne erdhi dhe na vizitoi përsëri majori Çedo Mihjoviç, i cili na tha se çfarë kërkesash kishim, para se të niseshim për të kaluar kufirin. Më pas ne na përgatitën me armatime dhe pajisjet e tjera të nevojshme që do të na duheshin për zbarkimin tonë në Shqipëri dhe më datën 7 korrik të vitit 1950, major Çedo Mihjoviç, na takoi me Arif Selmanin dhe Rustem Thaçin, të cilët ishin dy njerëzit që do të na udhëhiqnin në itinerarin e rrugës së gjatë që do të përshkonim ne për të hyrë ilegalisht brenda territorit shqiptar.
Nga ishin Arifi me Rustem Thaçin dhe pse ndodheshin në Jugosllavi?
Arifi me Rustemin ishin të dy pukjanë dhe me sa mbaj mënd, Rustemi ishte nga fshati Sakat. Të dy ishin arratisur në Jugosllavi për t’i shpëtuar ndjekjeve pasi kërkoheshin nga forcat e Sigurimit të Shtetit për t’u arrestuar, sepse ishin diktuar që kishin strehuar dhe u kishin dhënë bukë njerzve të malit, siç na quanin ne komunistët. Të dy ata ishin djem trima, besnik dhe kishin ndihmuar shumë nga këto grupet tona kur ishim në Shqipëri.
Pasi u takuat me Arifin dhe Rustemin, ku shkuat?
Pas takimit me Arifin dhe Rustemin së bashku me grupin e oficerëve që na shoqëronin, ne kemi shkuar deri në vendin e quajtur Va-Spas e aty jemi strehuar tek shtëpia e Hysen Prushit që ndodhej në afërsi të kufirit.
Si u futët në kufirin shqiptar, a patët probleme me forcat e kufirit apo banorë të zonës?
Hysen Prushi përgatiti një grup djelmoshash të armatosur nga fisi i tij dhe po natën e datës 7 korrik 1950, na shoqëroi vetë duke na përcjellë deri në Qafë të Prushit, ku ne kaluam kufirin dhe hymë në territorin shqiptar pa asnjë pengesë. Mbasi hymë në brendësi të tokës shqiptare, Hysen Prushi me njerëzit që na shoqëroi u kthyen mbrapsht për andej nga kishin ardhur, ndërsa unë me Marka Jakun e Pjetër Çup Qafën, të shoqëruar dhe nga Arif Selmani e Rustem Thaçi, më datën 9 korrik kemi kaluar lumin Drin dhe kemi marrë rrugën drejt pyjeve të fshatit Sakat të zonës së Pukës, prej nga ishte dhe Rustem Thaçi siç i’u thashë.
Sa qëndruat aty në pyjet e fshatit Sakat të Pukës?
Pasi mbërritëm në pyjet e Sakatit, morëm rrugën për në Bjeshkën e Kryeziut dhe aty u ndamë.
Ku shkuat?
Unë me Marka Jakun e Pjetër Çupin morëm drejtimin për në zonën e Mirditës, ndërsa Arifi me Rustemin u nisën për në rajonin e tyre në Va-Spas, duke lënë që të takoheshim përsëri në një vënd të caktuar në datën 26 gusht 1950. Kështu më datën 13 korrik, unë me Marka Jakun dhe Pjetër Çupin mbërritëm në zonën e Pukës dhe hymë në lidhje menjëherë me bazën tonë të parë në Fushë të Arzit, ku na pritën dy vëllezërit, Nikoll dhe Pjetër Shkoza, të cilët ishin dy nga njerëzit më besnik që strehonin grupet e rezistencës antikomuniste të krahinave të Veriut. Dy vëllezërit Shkoza, pasi na strehuan dhe na furnizuan me ushqimet e nevojshme, na informuan rreth situatës së brendëshme, duke na treguar dhe ngjarjet që kishin ndodhur gjatë asaj kohe pas vrasjes së Bardhok Bibës e grupin prej gjashtë vetësh të kryesuar nga Preng Dodë Gjini.
Po për familjet tuaja që kishit lënë në Shqipëri a kishin lajme dy vëllzërit Shkoza?
Po kishin dhe atë ditë nga dy vëllezërit Shkoza, unë mora dhe lajmin e hidhur të vrasjes së vëllait tim, Llesh Mëlyshit dhe dy nipave, Palit dhe Mark Mëlyshit. Po kështu atë ditë dy vëllezërit Shkoza na informuan edhe për strehimin që i kishin bërë grupeve parashutiste që kishin zbarkuar në ato zona, si Kol Çunin, Alush Lleshanaku, Gjon Gjinajn etj. Prej tyre unë mësova se Alush Lleshanaku ishte gjallë dhe kishte zbarkuar për herë të dytë me parashutë në Shqipëri. Po atë natë dy vëllezërit Shkoza me anë të njerëzve të tyre besnik, bënë lajmërimet e nevojshme për ardhjen tonë, duke njoftuar bazat në zonën e Pukës dhe atë të Kurbinit.
Po për mbërritjen tuaj në Shqipëri, kur lajmëruat tek ata që u kishin nisur?
Pasi u takuam me vëllezërit Shkoza, unë me Marka Jak Bajraktarin, përgatitëm disa informacione për t’ia dhënë Kol Çunit, i cili ndodhej në malet e Pukës dhe kishte radio-marrsen që hynte në lidhje me qëndrën dhe Bllokun Kombëtar Indipendent në Romë. Kola hyri në lidhje dhe njoftoi se ne kishim mbrritur pa humbje në bazat tona në bjeshkët e Pukës e Mirditës. Po kështu së bashku me ato lajme të shkurtra që përgatitëm, i kërkuam Kol Çunit që me anë të radios të na përgatiste një pikë takimi me Alush Lleshanakun e Gjon Gjinajn.
A arritët të takoheshit me Alush Lleshanakun?
Në sajë të lajmërimeve të sakta që kishin bërë dy vëllezërit, Pjetër dhe Nikoll Shkoza, me datën 10 gusht 1950, unë me dy shokët e mi bëmë një takim me Alushin dhe Gjonin në zonën e Zadrimës së Lezhës. Aty biseduam gjatë me ta duke u treguar të gjitha ngjarjet që nga dita që unë me Alushin kishim zbarkuar për herë të parë në Shqipëri me avionin italian të nisur nga baza sekrete e CIA-s, ku na kishin stërvitur oficerët amerikanë.
Kush u kishte futi në lidhje me bazën e CIA-s?
Me amerikanët që kishin atë bazë sekrete në periferi të Romës ne na lidhën krerët kryesorë të Bllokut Kombëtar Indipendent, me në krye Gjon Marka Gjonin, Kol Bibë Mirakajn, Ernest Koliqin, Ismail Vërlacin, etj. Të gjitha misionet tona të zbarkimit në Shqipëri nga Italia apo Jugosllavia, ishin të kordinuara nga ajo bazë e CIA-s nëpërmjet Bllokut Kombëtar Indipendent.
Të kthehemi tek takimi juaj me Alush Lleshanakun, kush e shoqëronte atë?
Alush Lleshanaku me Gjon Gjinajn kishin me vete dhe një grup parashutistësh kosovar me të cilët kishin zbarkuar në Shqipëri, por fatkeqësisht aty mungonte më i miri prej tyre, kapiten Riza Hasani, i cili ishte vrarë nga forcat komuniste që në përpjekjen e parë gjatë zbarkimit në fshatin Perlat të Kthellës.
Pas takimit me Alushin dhe Gjon Gjinajt, çfarë vendosët të bënit?
Ata na parashtruan planin e tyre duke na kërkuar ndihmë që ne t’i udhëhiqnim grupin e tyre për të dalë në Kosovë, ku duhet të kryenin misionin e tyre. Mbas një pushimi të shkurtër, së bashku me grupin e Lleshanakut ne u nisëm për në drejtim të bazës së Kol Çunit në malet e Pukës dhe me datën 16 gusht mbërritëm në pyllin e Iballës, ku gjendej qëndra e radios së Kol Çunit.
Sa qëndruat aty?
Në atë bazë ne qëndruam për gjashtë ditë dhe Kol Çuni hyri në lidhje me radio me qëndrën në Romë, duke bërë një përshkrim të gjithë misionit të grupit tonë dhe prej qëndrës ne morëm aprovimin që të dilnim përsëri në Jugosllavi, pasi misioni ynë quhej i mbaruar. Një nga arsyet që ne kërkuam që të ktheheshim në Jugosllavi, ishte dhe interesimi për grupin e shokëve tanë që ndodheshin duke punuar në centralin elektrik të Ovac-Banja të Serbisë. Kështu më datën 26 gusht 1950, sipas pikë-takimit që kishim lënë me Rustem Thaçin e Arif Selmanin, mbërritëm në vendin e caktuar në pyllin e Sakatit dhe prej aty së bashku me ta, kishim plan për të bërë dhe një udhëtim tjetër për në Shqipëri brenda një kohe sa më të shkurtër, përpara se të fillonte dimri.
A e ndërmorrët atë udhëtim?
Jo, sepse Marka Jak Bajraktari e refuzoi atë udhëtim aq të shpejtë, për arsye të gjëndjes së tij shëndëtsore jo të mirë dhe ajo gjë u aprovua nga majori jugosllav Çedo Mihjoviç. Pas tërheqjes së Markut, misioni m’u ngarkua mua dhe Pjetër Qafës, por unë i kërkova majorit Mihjoviç, që bashkë me ne në atë mision të dytë, të vinin edhe dy shokët e mi, Zef Dodë Lekëgega e Bibë Mark Biba, që ndodheshin duke punuar në Ovcar-Banja. Atë kërkesë i’a bëra duke menduar se Zefi me Bibën ishin shokë të ngushtë me mua dhe ata kishin një përvojë të gjatë një jetën e malit. Majori jugosllav e pranoi me kënaqësi kërkesën time dhe na i solli menjëherë Zefin e Bibën në Gjakovë.
Si e kujtoni misionin tuaj të dytë në Shqipëri?
Pasi bëmë përgatitjet e nevojshme, më datën 29 shtator 1950, unë me Pjetr Qafën, Zefin e Bibën, morëm rrugën duke hyrë në Shqipëri në të njëjtin intinerar si herën e parë, duke pasur si shoqërues përsëri Arif Selmanin dhe Rustem Thaçin. Në Va-Spas unë me grupin tim u ndamë nga Arifi e Rustemi, duke u nisur për në zonën e Kthellës dhe lamë një pike-takimi me ta në datën 8 tetor në Pyllin e Sakatit. Mbasi kaluam shumë fshatra ne mbërritëm përsëri në katundin Shkozë, tek dy miqtë tanë, vëllezërit Pjetër e Nikoll Shkoza. Nga ata të dy ne u furnizuam me ushqime dhe u informuam mbi situatën në vend, duke mësuar se Alush Lleshanaku me Gjon Gjinajn gjendeshin në zonën e Munellës në Mirditë.
Ku shkuat pas kësaj?
Pas kësaj unë me grupin tim u nisa për në drejtim të zonës së Kthellës dhe me dy vëllezërit Shkoza, lamë takim që të shiheshim përsëri së bashku edhe me Alushin dhe Gjon Gjinajn në datën 2 nëntor në shtëpinë e Nikoll Shkozës. Pasi shkuam në zonën e Kthellës, unë me grupin tim u kthyem në zonën e Pukës dhe me datën 3 nëntor, u takuam me Alushin dhe Gjon Gjinajn në fshatin Shkozë.
Çfarë diskutuat në atë takim?
Aty diskutuam gjatë me ta duke folur mbi situatën e vështirë që mbizotëronte në vënd për shkak të ndjekjeve të Sigurimit të Shtetit dhe kohës së keqe që po afronte me ardhjen e dimrit. Pas kësaj u ndamë me Alushin e grupin që kryesonte, pasi ai duhej të kthehej për të përmbushur misionin e tij në krahinën e vet të Elbasanit. Ndërsa Gjon Gjinajt i mungonte radio-telegrafisti i grupit, Pjetër Gjocaj, me të cilin i kishin humbur lidhjet që në luftimet e Perlatit në qershorin e vitit 1950. Nga ndjekjet e shumta të forcave komuniste grupi i Gjon Gjinajt e kishte pasur të pamundur që të hynte në lidhje me Pjetër Gjocin, i cili ishte i vetmi që dinte përdorimin e radios dhe shifrën e saj.
Çfarë vendosët pas kësaj situate të vështirë ku ndodheshit ju dhe grupet e tjera?
Për këto arsye unë me grupin tim vendosëm që të mos ktheheshim në Jugosllavi, por të qëndronim në ndihmë të grupit të Gjon Gjinajt, gjë të cilën na e aprovoi edhe Qëndra në Romë, pas ndërhyrjes së krerëve të Bllokut Kombëtar Indipendent, si Gjon Marka Gjoni etj. Por ndërsa unë qëndrova në Shqipëri, Pjetër Qafën e nisa për t’u takuar me Arif Selmanin dhe Rrustem Thaçin në vëndin që kishim lënë që më parë dhe pas kësaj me datën 8 nëntor 1950, Pjetri doli në Jugosllavi./Memorie.al
Vijon nesër
Lajmi kryesor:
Dëshmia e 109-vjeçarit që u shua dje në Shkodër: Si u hodha dy herë me parashutë nga CIA...(Intervista e fundit)
B.K./ReportTv.al