Kushedi se sa dolli janë ngritur për të, e sa ka ngritur vetë ai për miq të dashur.
Është rritur me ceremonialin e dollisë në familjen e tij në Bënjë të Këlcyrës, në juglindje të Shqipërisë.
Profesori i Financave në Shqipëri dhe në Francë, Sherif Bundo, i ka mbledhur të gjitha copëzat e kujtimeve, përjetimeve e rrëfimeve në një libër.
Shumicën e botimeve të tij ia ka kushtuar ekonomisë dhe financës, por thotë se mes financës dhe dollisë ka lidhje dhe nuk bëhet fjalë për çmimin.
Dolli që nga fëmijëria
Një pedagog financash që shkruan për dollinë, mund edhe t’i habisë lexuesit, por profesor Bundo thotë se vlerat shpirtërore nuk mund t’i lidhësh me ndonjë profesion të veçantë.
Ato janë lidhje e brendshme e kujtdo, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Shtysën për t'i kushtuar dollisë disa vite studimi në terren dhe më pas një libër, thotë se e ka marrë që në fëmijëri.
“Unë jam nga Bënja e Dëshnicës, që sot bën pjesë në Bashkinë e Këlcyrës. Jam rritur në një zonë ku mikpritja ishte e shenjtë, por kulmi i saj arrihej kur ngriheshin dollitë me raki, këndoheshin këngët polifonike dhe burra e gra ngriheshin në valle”, kujton Bundo.
“Qëkur isha fëmijë, më bënte përshtypje ky ceremonial. Gjithnjë e pyesja veten: ku i kanë mësuar këto rite kaq të bukura, të zgjuara, kush i ka artikuluar...”, thotë ai.
Një nxitje të madhe thotë se e ka marrë edhe gjatë kohës kur ushtronte funksione të larta shtetërore, punë që e lidhte më shumë me zona të ndryshme, me ritet e zakonet e tyre.
“Pasi kreva studimet e larta, punova dhjetë vjet në Skrapar. Pritja atje është një ngjarje e rrallë, me një ceremonial të veçantë. Si i huaj konsiderohesha gjithnjë mik, pas të zotit të shtëpisë më kërkohej të bëja dolli. Aty kuptova dollinë si institucion, rolin e mikut, impenjimet në ceremonial të palës pritëse dhe përjetova emocionet e veçanta të dollisë, të cilat të rrëqethin, të bëjnë të ndihesh krenar për këtë rit të bukur”, thotë Bundo.
Ai kujton se më vonë, sidomos kur ishte kryetar i Komitetit Kombëtar të Turizmit, ishte lidhur edhe më shumë me, siç thotë, “këtë vlerë shpirtërore të vendit tonë”.
“Dollia e ngre mikun në piedestal”
Bundo e cilëson dollinë si një skenë ku promovohen arritjet dhe vlerat njerëzore. Është një lloj i veçantë ligjërimi, sipas tij.
“Dollibashi është lideri që dirigjon, drejton sofrën, tryezën, odën dhe ka një qëllim: t’i bëjë të lumtur pjesëmarrësit, t’i bëjë ata sa më të kënaqur”, thotë ai.
Për të, dollia e ngre në piedestal mikun, të ftuarin, vizitorin.
“Aty e ka pushtetin dhe magjinë fjala, e jo sasia e alkoolit që konsumohet”, thotë Bundo, i cili është duke bërë përpjekje që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore, e madje edhe të mbrohet nga Agjencia për Kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO.
Ai thotë se dollitë vijnë nga lashtësia - në dasma, fejesa, pritje, përcjellje e gosti.
Nuk është e thjeshtë të ngresh dolli. Duhet ta njohësh mirë mikun, t’ia dish vlerat dhe t'u përmbahesh disa rregullave - disa herë edhe të ashpra, thotë Bundo.
Sipas tij, dollia haset edhe në veri, edhe në jug, por si kod shpirtëror, me rregulla shpesh të ashpra gjendet në jug, veçanërisht në zonat: Skrapar, Përmet, Dangëlli, Frashër, Dëshnicë, Kolonjë, Gramsh, Mokër, Mallakastër, Lunxhëri, Berat, Himarë etj.
Është një rit me kode, siç janë ligjet me nene, thotë ai.
“Që të kompozohet një dolli, duhet të futen në rol disa persona - mbi të gjithë një person që është ‘dollibashi’ - ai që ngre disa shëndete me gotën me raki, që rendit vlerat e atyre njerëzve që ai u çon shëndet dhe e meritojnë të veçohen”, tregon Bundo, që mban titullin profesor dhe gradën doktor shkencash.
Ai thekson se dollia është nevojë, pasi gjithsekush e ndien se duhet t’i thuhen në publik vlerat, meritat dhe arritjet që ka.
“Si thuhen ato? Nga dollibashi. Ai gjen apo kërkon një partner, që quhet pritësi i dollisë. Ata dialogojnë bashkë. Dollibashi ia shpjegon pritësit cilësitë e virtytet e atij për të cilin ngrihet dollia. Më pas, të gjithë pjesëmarrësit ftohen nga pritësi ta ngrenë shëndetin për atë për të cilin u thanë fjalët e mira”, shpjegon profesor Bundo.
Ai shton se dollia ka edhe aktorë të tjerë si pritësin e dollisë - i cili në disa zona apo krahina quhet edhe sekretar i dollisë - dhe po kështu edhe “saku” - personin që është i ngarkuar për të mbajtur drejtësi në tryezë a sofër, që i mbush gotat e rakisë e që kujdeset që të gjithë të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Saku, sipas tij, është syri i kujdesshëm i sofrës, që përfaqëson atë që është mikpritësi.
Siç ka rregulla, dollia ka edhe detyrime.
“Ka rregulla se kush bëhet dollibash, si zgjidhet, apo si e fiton këtë protagonizëm. Kur i sheh kështu veçmas, të duken të ashpra, por kur e kupton se këto rregulla janë bërë që të ruhet harmonia në tryezë, e kupton se dollia është margaritar”, thotë profesori.
“Kur dollibashi ngre një shëndet, bën komente për atë për të cilin e ngre shëndetin, por janë komente që të rrëqethin, të bëjnë me krahë, të bëjnë të thuash me vete se sa bukur i tha ato fjalë. Kjo e bën dollinë të veçantë”, thotë autori i librit “Dollia”.
Dollia - “autoktone shqiptare”
Bundo thotë se e ka studiuar me vite këtë vlerë shpirtërore dhe këmbëngul me bindje se ajo është vetëm shqiptare.
“Rakia, vera, mikpritja nuk janë vetëm shqiptare, ndërsa dollia po. Ka autenticitet të plotë shqiptar. Nuk ka dolli as në vende të tjera të rajonit, as të Mesdheut. Ajo ka evoluar nga monolog që ngjason me rapsoditë, në dolli që ngrihen mes dy personave dhe të tjerët heshtin... Ka evoluar përgjatë shekujve, por është autentike dhe ka disa diferenca të vogla sipas zonave”, thotë Bundo.
Bundo është ndër nismëtarët e një grupi të madh intelektualësh, personalitetesh të njohura, por edhe bashkive dhe shoqatave që kërkojnë që dollia të shpallet pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Njëlloj si polifonia.
“Dosja është dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Vendimi nuk është marrë ende, por është në rrugë proceduriale. Unë kam besim të plotë se do të shpallet... Më pas i takon Ministrisë ta dërgojë dosjen në UNESCO, sepse i plotëson të gjitha kriteret. Kjo do të kërkojë kohë, por kam bindjen se edhe në UNESCO do të miratohet si pasuri botërore shpirtërore”, shprehet Bundo.
Ai thotë se në terren e vëren rrezikun që dollia të zhduket si vlerë shpirtërore, ndaj duhet mbrojtur sa më shpejt.
“Të rinjtë janë të dhënë pas modernizmave. Pasuria kulturore është e rrezikuar nga globalizmi apo harresa. Kjo edhe ngase nuk ka ligje apo institucione që ta mbrojnë”, thotë ai.
Ajo që i bën përshtypje thotë se është fakti se dollia - derisa te vendasit rrezikon të humbë apo të zhduket - vlerësohet shumë nga turistët e huaj.
“Turistët e huaj nuk vijnë këtu për gjëra moderne, por vijnë pikërisht për traditën, të veçantën, të bukurën. Kam parë se si dollia po përdoret si atraksion në jug të vendit, në Berat, Skrapar, Përmet, Mokër, Kolonjë, Leskovik etj. Kam parë me sytë e mi se si të huajt kanë kuriozitet dhe emocionohen nga ky ceremonial”, thotë pedagogu.
Libri për dollinë dhe ribotimi i tij
Libri Dollia, si kumt i trashëgimisë kulturore, u botua tre vjet më parë, por pak më vonë Bundo solli një botim të ri të tij, që e cilëson kthim kritik te libri i parë.
“Monografia e dollisë ka qenë dhe është e veçantë për mua. E para për faktin se ishte jashtë fushës sime dhe, së dyti, më është dashur të mbledh karakteristika, detaje nga tradita dhe mikpritja në mënyrën e jetesës nga zona të ndryshme, por edhe jashtë vendit në troje ku flitet shqip. Kam punuar më shumë se 4-5 vjet për variantin e parë me 210 faqe”, tregon Bundo.
Ai thotë se pas botimit, ka kuptuar se nuk ka rrokur gjithçka, duke lënë jashtë vëmendjes zona e rite të çmuara. Kështu që, ai ka grumbulluar sërish elemente të veçanta në këto zona dhe ka ripunuar librin me gati 340 faqe.
Këtij botimi i ka paraprirë një manual në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe frëngjisht.
Manuali ka sjellë disa rregulla apo hapa që duhen bërë nga dikush që do të ngrejë dolli.
“Përkthimin në disa gjuhë e diktuan kërkesat e bujtinave dhe agjencive turistike e hoteleve që presin ekspedita të huaja, që kanë kuriozitet të kuptojnë thelbin e mikpritjes, nga buron, si bëhet”, thotë Bundo.
“Kërkonin shpjegime se si mund të përkthehen termat që përdoren: të paça, të desha, të kam gjetur, ta pifsha dollinë, ti që më deshe mua, të dashtë e mira etj. Me ndihmën e disa profesorëve të këtyre gjuhëve, e realizuam këtë manual, që do t’u shërbejë të gjitha subjekteve që presin e përcjellin turistë të huaj”, thotë Bundo.
Libri i tij thotë se është blerë nga shumë turistë të huaj, në mënyrë të veçantë në sezonin e kaluar turistik.
Kur e pyet se cila është lidhja mes financës dhe rakisë, profesori kthen në vëmendje një shprehje të urtë popullore: “Paraja e hedh ujin përpjetë”, ndërsa dollia, thotë ai, është kompozim që ngre në lartësi vlerat më të larta, siç është mikpritja.
“Edhe rakia, edhe dollia ndihmojnë të bëjmë një bilanc të vlerave të kënaqësisë që ua dhurojmë miqve”, përfundon Bundo./REL