Përpos personelit mjekësor, pjesë e stafit të urgjencës së Fierit janë dhe 25 shoferë që punojnë pa lodhur në misionin e vështirë për të shpëtuar jetë.
Report Tv sjell momente nga puna e tyre, përmes rrëfimeve të Hamit Muratit, Edi Xhukiçit dhe Andrea Qoses.
Një telefonatë e mbërritur në 127 ka vënë në lëvizje stafin mjekësor të urgjencës së Fierit. Mjeku, infermieri dhe shoferi i ambulancës nxitojnë për të transportuar pacientin në spital....
Në fokusin tonë sot janë, më të padukshmit, shoferët e ambulancave.
Grupi i xhirimit të Report Tv ndoqi një ditë pune të shoferëve, të cilët punojnë pa u lodhur edhe pse me paga modeste.
Edi Xhukiçi tregon vështirësitë, sidomos gjatë sezonit veror kur shtohet fluksi i urgjencave.
"Jemi urgjenca 127 në shërbim të komunitetit të Fierit tani që vjen periudha e plazheve e kemi vëmendjen më të lartë, sepse edhe trafiku rëndohet për pushime dhe jemi të detyruar ta mbajmë gatishmërinë në maksimum. Sipas rasteve,kur janë shumë të rënda, i përdorim sirenat pa ndaluar kur jemi në trafik ", tha ai.
Ndërsa Hamit Murati, me eksperience 20-vjeçare veçon si rastin më të vështirë të punës, aksidentin fatal të 8 nëntorit 2010 kur u aksidentua autobusi me 50 pasagjerë.
"Kemi pasur raste me rrëzimin e autobusit në Fratar, kemi bërë 3-4 rrugë. Secila ambulancë me viktima me njerëz të plagosur. Punojmë 24 orë non stop kam 20 vjet", u shpreh ai.
Me moton "koha është flori", drejtuesit e ambulancave përshkojnë rrugët e Fierit për 3 minuta, ndërsa në për fshatra shkon rreth 15 minuta.
Roli i shoferit është kryesor, e kemi përmbushur me devotshmëri deri tani sidomos në pandemi, por duke qenë një grup i bashkuar kemi punuar me vetëmohim, jemi një grup dhe punojmë për një qëllim, shëndetin e të sëmurit. Kemi mirëkuptimin e njerëzve, me rrugë të ngushta, ne kemi bërë të pamundur në kohë rekord 1 minutë deri në 3 minuta,brenda fierit, 8-12 min, Fieri ka 144 fshatra. Kemi qenë të palodhur. Jemi shpërblyer me buzëqeshjen e njerëzve", tha njëri prej shoferëve Andrea Qose.
Fieri si një ndër qytetet më të mëdha në vend merr 160 telefonata urgjence në 24 orë. Një punë e jashtëzakonshme jo vetëm për stafin mjekësor por edhe për heronjtë në drejtimin e ambulancave.