Pretendimi i SPAK në hetimet që çuan në burg Erion Veliajn dhe "detyrim paraqitjeje" për bashkëshorten e tij, është se 6 sipërmarrës (të gjithë të hetuar) kanë sponsorizuar shfaqje artistike të organizuara nga OJF-të e Ajola Xoxës, në këmbim të marrjes së lejeve të ndërtimit ose të kontratave publike nga bashkia. Përtej faktit që lejet e ndërtimit janë shumë të ndryshme nga tenderat (tenderat kanë vetëm një fitues të zgjedhur mes shumë konkurrentëve, ndërsa lejet e ndërtimit janë një e drejtë ekskluzive e pronarëve të tokës dhe askujt tjetër), mbetet një pyetje për të cilën në dosjen e SPAK nuk ka përgjigje: a janë dhënë tenderat dhe lejet e ndërtimit nga bashkia në shkelje të ligjit?
Pra, a kanë qenë subjektet private që kanë fituar tenderat publikë apo lejet e ndërtimit në kundërshtim me ligjin? A e ka hetuar SPAK këtë dhe a e ka provuar? Sepse çështja nuk është e vogël: nëse procedurat janë zhvilluar sipas ligjit, çfarë arsyeje do të justifikonte favorizimet e supozuara? Pra, ku është korrupsioni?
Në asnjë nga mijëra faqet e dosjes së SPAK nuk gjendet ndonjë fakt i provuar që të tregojë se janë shkelur procedurat e tenderave apo ato të lejeve të ndërtimit të marra nga 5 sipërmarrësit e akuzuar për korrupsion aktiv, për të cilët GJKKO ka vendosur "detyrim paraqitjeje". Sipërmarrësi i gjashtë që ka përfituar një leje ndërtimi është Elman Abule, një mik i Erion Veliajt, i cili, ndryshe nga kolegët e tij, ka përfunduar në burg, si kryetari i bashkisë. Por çudia më e madhe e hetimit është se Abule nuk akuzohet për korrupsion, por për pastrim parash, dhe kjo për faktin se ka paguar disa fatura në studion ligjore të Ajola Xoxës dhe ka sponsorizuar aktivitetet e saj artistike me një shumë prej rreth 200,000 eurosh.
Këto para, sipas SPAK, janë paguar mbi bazën e faturave të rregullta, me transferta bankare që vijnë nga kompanitë e Abules, pra nga llogaritë e tij të biznesit. Pyetja tani është e thjeshtë: a ka provuar SPAK se këto para që ndodheshin në llogaritë bankare të kompanive të Elman Abules vijnë nga aktivitete të paligjshme? Dhe nëse nuk e ka provuar, ku qëndron vepra penale e pastrimit të parave? Pra, nëse SPAK nuk ka provuar se sipërmarrësi Elman Abule i ka marrë ato para nga ndonjë aktivitet i paligjshëm, si mund të konsiderohet krim fakti që ai vendos të paguajë një studio ligjore apo të sponsorizojë aktivitete kulturore, qofshin edhe ato të bashkëshortes së kryetarit të bashkisë, që për më tepër është një mik i familjes? A nuk është secili i lirë të përdorë fitimet e tij të ligjshme si të dojë?
Leja e ndërtimit që bashkia i ka dhënë Elman Abules lidhet me një pallat në zonën e Kombinatit. Në fakt, as vetë SPAK nuk e konsideron këtë si një rast korrupsioni, përndryshe nuk do ta kishte akuzuar vetëm për pastrim parash. Ndoshta kjo lidhet me koeficientin shumë të ulët të ndërtimit, pra raportin mes sipërfaqes së tokës dhe sipërfaqes së dhënë nga bashkia për ndërtim: në rastin e Elman Abules, ky koeficient ka qenë vetëm 1.6%, një nga më të ulëtit e dhënë ndonjëherë në Tiranë. Ka kulla të oligarkëve të njohur, përfshirë ata pranë "Doktorit" dhe gazetarëve të tij, që kanë koeficient ndërtimi pranë 100%! Pra, Erion Veliaj nuk duket se e ka favorizuar mikun e tij Elman Abule as në koeficientin e ndërtimit. Atëherë, ku është vepra penale? Një tjetër mister që Gjykata e Apelit do të duhet ta sqarojë.
Komente
