Kishëza e Mbretëreshës Geraldinë nuk është ende vend lutjeje, është relike e identitetit tonë kombëtar, por e ndërtuar nga tjetër kush. Është vendi më i bukur në Tiranë mes së shkuarës dhe të tashmes! Oaz paqeje jo vetëm i fshehur nga rastësia!
Përse u ndërtua, si i shpëtoi regjimit monist shqptar, si u restaurua në ditët tona dhe përse njihet si Kapela apo Kishëza e Mbretereshës Geraldinë në Pallatin Mbretëror Shqiptar? Intervistë me arkitektin Artan Shkreli për Kishëzën e Mbretëreshës Geraldinë në Pallatin e Brigadave.
Emisioni Amarcord shfaqet çdo të diel, ora 21:00 në Report Tv me Eljan Taninin.
Eljan Tanini: -Z. Shkreli, si e vlerësoni Kishëzën e Mbretëreshës Geraldinë në kontekstin historik dhe arkitektonik të Pallatit të Brigadave? Kishëzën, faltoren apo Kapelën e Pallatit Mbretëror Shqiptar?
Artan Shkreli: -Kishëza e Mbretëreshës Geraldinë, e vendosur brenda kompleksit të Pallatit të Brigadave, që sot njihet si Pallati Presidencial është vend i shenjtë, ajo përfaqëson jo vetëm një objekt religjioz, por një dëshmi të prekshme të një epoke që shpesh është lënë në hije. Kjo faltore e pallatit nuk është një thjeshtësim arkitektonik i një besimi fetar, por një objekt simbolik që mbart një vlerë shumëdimensionale: historike, shpirtërore, kulturore dhe politike. Është një pjesë integrale e Pallatit Mbretëror e ndërtuar në vitet '30 si simbol i modernitetit shtetëror shqiptar në periudhën e Mbretërisë. Fakti që kjo hapësirë i është kushtuar lutjes personale të Mbretëreshës Geraldinë por edhe pallatit në veçanti e bën edhe më të veçantë, pasi përfaqëson një reflektim të jetës private mbretërore në një kohë kur Shqipëria po mundohej të institucionalizohej dhe të afrohej me Evropën moderne. Kjo kishë është e shenjtë pasi brenda saj në altar janë edhe pjesët e një shenjti.
Ky vend i vogël, gati sekret, është si një perlë e futur në një stoli të madhe të epokës së artë të arkitekturës shqiptare së fundviteve 30-të kohë në të cilën Mbretëria Shqiptare po përpiqej të gdhendte vetveten me mjete moderne, të rafinuara dhe perëndimore. Dhe si çdo mbretëri me dinjitet, kishte jo vetëm pallate dhe bulevarde, por edhe vende të vogla lutjeje për shpirtin e saj.
Eljan Tanini: -Çfarë dimë konkretisht për ndërtimin e kësaj faltoreje? A ka të dhëna për projektuesin, stilin apo ikonografinë e përdorur?
Artan Shkreli: -Dokumentacioni për kishëzën tashmë është i pasur. Megjithatë, nga analizat arkivale, është e qartë që është ndërtuar paralelisht me pjesën tjetër të kompleksit, pra diku midis viteve 1936–1939. Në brendësi dallohen elemente katolike të qarta, vepra arti të varura dhe një altar i thjeshtë, por i ndërtuar me përkujdesje. Kishëza qëndron e mbështetur në një qoshe të heshtur të kompleksit monumental të Pallatit Mbretëror. Nuk është e dukshme nga rruga, nuk ka tabela, nuk ka turistë, as nuk dëgjon zëra. Është një hapësirë që flet vetëm nëse i afrohesh me përulësi. Kishëza e Geraldinës nuk është vetëm një dhomë lutjeje, është copëz shpirti mbretëror, një dëshmi e një epoke që nuk duhet të na trembë. Ajo është një reflektim i mënyrës se si kemi dashur të jemi të lidhur me Perëndimin, të ndershëm në shpirt, të thjeshtë në besim dhe të guximshëm në shtetformim.
Eljan Tanini: -A ka kjo kishëz status ligjor si monument kulture? Dhe nëse po, çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Artan Shkreli: -Po, e gjithë zona e Pallatit të Brigadave apo atij Mbretëror është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, që do të thotë se i nënshtrohet mbrojtjes ligjore të nivelit më të lartë. Kishëza është një hapësirë intime, por me simbolikë publike, sepse përfaqëson një epokë të rëndësishme të shtetformimit shqiptar. Kjo kishëz është pasqyrë e shpirtit të një epoke, një dëshmi e prekshme e përpjekjes për të ndërtuar një shtet modern me themele kulturore e shpirtërore. Nuk është vetëm vend lutjeje i një mbretëreshe, por edhe relike e identitetit tonë kombëtar. Brenda, gjithçka është e përmbajtur dhe e pastër. Nuk ka stoli, nuk ka mbingarkesë. Në altar qëndron një ikonë e Shën Mërisë me beben Jezus, figurë që për Geraldinën ishte jo vetëm simbol shpirtëror, por edhe një frymëzues i misionit të saj si nënë e një kombi të vogël dhe të trazuar. Muret janë zbukuruar me disa vepra arti të periudhës. Çdo element brenda saj flet për një estetikë të heshtur, të butë, intime.
Komente
