Misteri i vdekjes së Saimir Sulës në Spanjë, takim mes dy prokurorive në Barcelonë! Zemra e 31-vjeçarit ‘peng’ i procesit atje, vjen në Shqipëri pas analizës së ADN

10 Shkurt 2023, 14:07| Përditesimi: 10 Shkurt 2023, 15:59

  • Share

Kur kanë kaluar më shumë se 2 vite nga vdekja e të riut shqiptar në Spanjë, Saimir Sulës, familjarët ende nuk kanë një përgjigje për shkakun përse vdiq 31-vjeçari në spitalin spanjoll, teksa në trupin e tij mungonte zemra.

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar sot se për këtë çështje është zhvilluar në Barcelonë një takim mes autoriteteve të dy vendeve.  Në takim morën pjesë, Monica Marcos, Prokurore pranë Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sonia Canal Prokurore e çështjes, si dhe Suela Salavaci Prokurore e çështjes pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.

Prokuroria bën me dije se në takimin e dy ditëve më parë (8 shkurt 2023) u diskutuan çështjet të lidhura me hetimin si ecuria e ekzekutimit të letërporosisë së dytë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dërguar në Prill 2022, për të cilën pala spanjolle informoi se e kanë shqyrtuar dhe informacioni e kësaj kërkese dhe shumë shpejt do të përcillet pranë autoriteteve shqiptare, pasi është në përfundim. Dhe çështja e dytë e rëndësishme kishte të bënte me dërgimin e zemrës së të ndjerit Saimir Sula autoriteteve Shqiptare për të kryer analizën e ADN-së.

Për këtë çështje pala spanjolle ka sqaruar se për shkak të hapjes së çështjes në Spanjë nga familjarët e të ndjerit, si dhe në kushtet kur shqyrtimi i çështjes aktualisht është në Gjykatën e Lartë, pritet marrja e vendimit nga ana e kësaj gjykate dhe më pas do të procedohet me dërgimin e zemrës në Shqipëri.

“Në kushte kur ekzekutimi i letërporosisë është në proces, kryerja e testit të ADN-së do të vendoset nga gjykata spanjolle e cila aktualisht e ka në shqyrtim, por në çdo moment në përfundim të proceseve në Spanjë, zemra do të dërgohet në Shqipëri”, thuhet në njoftim

Gjithashtu pala shqiptare kërkoi sqarim për mospërputhjen e datave, pretenduar nga motra e të ndjerit, se studimi histopatologjik i zemrës së Saimir Sulës është bërë me datë 22 prill 2020, ndërkohë që ai ka ndërruar jetë më datë 9 maj 2020.

Në lidhje me këtë pretendim, nga pala spanjolle u sqarua se ky është një gabim material i shkruar, pasi studimi hispatologjik ka filluar më datë 22 maj 2020, kjo edhe për faktin se datat e referuara në brendësi të vendimit provojnë se është një gabim material i shkruar.

Gjithashtu prokurorja Salavaci, kërkoi informacion mbi parashikimet e legjislacionit procedural spanjoll në lidhje me ruajtjen e materialit gjenetik apo organit mbi të cilin kryhet dhe çdo analizë shkencore. Prokurori spanjoll informoi se sipas procedurës penale spanjolle, organi(zemra) asgjësohet pas përfundimit të procesit.

Prokurorja shqiptare kërkoi garanci për ruajtjen e zemrës dhe prokurori spanjoll vuri në dispozicion kopje të vendimit të Gjykatës së Barcelonës të datës 25 gusht 2021, përcjellë urgjent në Institutin Kombëtar të Toksikologjisë dhe Mjekësisë Ligjore në Barcelonë, ku ishte disponuar mosasgjësimi i zemrës nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Prokuroria njofton se pala shqiptare, solli në vëmendjen e autoriteteve spanjolle sensibilitetin që kishte marrë kjo çështje në Shqipëri duke përfshirë median dhe institucionet përkatëse dhe  Autoritet Shqiptare kanë angazhim maksimal në zgjidhjen e çështjes.

Kujtojmë se motra e viktimës, Majlinda Sula ka kërkuar me insistim drejtësi dhe ka protestuar edhe para Ministrisë së Drejtësisë, pasi kërkon nga autoritetet shqiptare të reagojnë. Majlinda Sula thotë se nuk e kupton arsyen për ministri i Drejtësisë dhe kryeministri Edi Rama heshtin përballë vrasjes makabër të vëllait të saj.

Një historik i ngjarjes
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020 rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. Një i ri shqiptar i quajtur Saimir Sula ka hyrë në Spitalin del Mar ( Barcelona ) i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test covid, i cili doli negativ. Ata e futën brenda, ndërsa motra e tij qëndronte jashtë në pritje të rezultateve. 18 orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t'i thënë se vëllai i saj kishte vdekur.

Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar. E para është se, sipas motrës së të ndjerit, kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord. Majlinda nuk pranoi sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj dhe kërkoi që kufoma do të transferohej në Shqipëri , vendlindja e saj, ku do të kërkonte një autopsi të dytë. Arkivoli mbërriti në Tiranë dhe u krye testi i dytë. Ekipi që e kreu atë lëshoi ​​një raport duke siguruar se trupi kishte mbërritur pa zemër.

Gjendet zemra, mister kujt i përket
Pak kohë më pas, Majlinda mori një raport nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Ligjore të Katalonjës (IMELEC), duke i thënë se tashmë e kishin gjetur zemrën e vëllait të saj. Ky lajm i papritur e bëri atë të dyshonte se ky organ i përkiste Saimirit të saj. Pa zgjidhur të panjohurat e para, u shtua një e re: pse një zemër po shfaqej tani nga askund? Kush e kishte nxjerrë dhe pse? A ishte vërtet zemra e humbur e Saimirit?

Nisur nga dyshimet dhe të nxitura nga Prokuroria Shqiptare, Majlinda kërkoi (përmes avokatit të saj, Carlos Sardinero), një test ADN-je, por të gjitha kërkesat janë refuzuar. Për më tepër, çështja është pushuar në dy raste nga Gjykata Hetuese Nr. 16 e Barcelonës, pavarësisht urdhrave shqiptare. Pavarësisht kësaj as motra e të ndjerit dhe as avokati i tij nuk besojnë se kjo zemër i përket Saimirit.

Familjarët kërkojnë drejtësi
Edhe sot e kësaj dite familja e viktimës pohon se ende nuk e dinë se çfarë i ndodhi Saimirit atë natë, pse trupi mbërriti në Tiranë pa zemër dhe nga erdhi zemra që i atribuohet Saimirit dhe pse po refuzohet të bëhet një test ADN. 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?