Humbja e jetës së Lear Kurtit në rrethana te të cilësuara si të mistershme ka qenë tematika e sotme në Studio Live me gazetarin Arbër Hitaj. Ku po çalojnë hetimet për të shuar dyshimet për vrasjen apo vdekjen nga overdoza të Lear Kurtit? Në panelin e të ftuarve, eksperti i kriminalistikës Artan Rexhepi u shpreh se kjo ngjarje ka ardhur si pasojë e një keq menaxhimi.
Ndërkohë, për gazetarin Sokol Bregu, për këtë ngjarje, nuk ka një transparencë të plotë. Sipas tij, të tilla fshehje të detajeve apo tjetërsimet e njëpasnjëshme, do të shtojnë dilemat e mëdha dhe rrjedhimisht humbjen e besimit të qytetarëve te policia.
‘Nuk ka një gjë, transparencë të plotë kjo duket qartazi. Edhe raporti mjeko ligjor nuk na saktëson qoftë edhe një dhunë e vogël… Me një goditje fizike edhe mund të ndërrosh jetë, s’nevojitet vetëm armë zjarri. A dyshohet se janë fshehur provat? Dyshohet. Mund të humbë jetën dhe dikush tjetër dhe prapë do të kemi dilema të tilla. – tha gazetari Sokol Bregu.
Duke e vënë përballë si në rastin e vdekjes së Klodian Rashës, eksperti nënvizon se besimi i publikut ka rënë ndaj policisë. Sipas Rexhepit, defekti i madh i policisë është se kanë një mungesë të vetëvendosjes. Duke mos pasur këtë tagër, një vonesë sado e vogël mund të kthehet në tragjedi.
‘Po e nisim te rasti Rasha, besimi i publikut ka rënë ndaj policisë. Kanë një defekt shumë të madh, nëse do flasim për rastin konkret s’duhet të nxirrnin fare deklarata. Nëse i referohemi disa videove, ata po çonin një të vdekur në komisariat. Fajin do ja lënë policëve të patrullës. Pse ndodh kjo? Janë rast, nëse psh do shkosh njëherë në komisariat ti pasi mbaron nuk bën dot asnjë veprim se s’ka qenë shefi i krimeve. Duke mos patur tagrin e vetëvendosjes, policët janë detyruar të mos bëjnë asgjë... Mua nuk më pëlqeu që kishte zbarkuar një polici e tërë për një djalë që ishte vdekur. Unë jam me polici të fortë por me ligjin përpara. Për mua në çdo anë që ta rrotullosh situatën, e thënë shkurt, janë si pasojë e një keq menaxhimi.’- tha Rexhepi.
Ndërkohë, nisur pikërisht nga opinioni publik dhe sesi ndikojnë në mendjet e qytetarëve të thjeshtë raste të tilla për psikologen Gjoza, duhet të jemi shumë delikatë. Sipas saj ka rëndësi e drejta e jetës sesa përgjegjësi për një krim. Pasi sipas saj problemi më i madh është se edhe në të tilla raste kërkohet që të gjendet një përgjegjës, në këtë rast viktima e ndërsa faji ngel jetim.
'Kjo ngjarje ka impakt dhe ne duhet të jemi shumë delikatë kur i trajtojmë tema të tilla. Këto ngjarje nuk mund të minimizohen, sepse po tentojnë të nxjerrin viktimën e përdorues droge. Por për këtë person ka një ligj, nuk ka pse të shihet viktima përgjegjës. Në këto raste fati mbetet jetim!'- tha psikologia
Gazetari Sokol Bregu u ndal edhe te protestat të cilat i cilësoi si tërësisht politike, duke nënvizuar që pavarësisht rëndësisë dhe peshës së madhe që protestat në vetvete kanë, janë pa një kauzë dhe rrjedhimisht nuk i shkojnë deri në fund. Pra e thënë ndryshe, sipas gazetarit ka një lloj përdorimi shumë të madh nga politika sa u përket çështjeve sociale në mënyrë që thjesht të heqin disa individë nga posti ku janë dhe jo që të shmangen ngjarjet e të njëjtit lloj. Bregu e ilustroi edhe me shembuj konkret ku jo më larg se para 3 muajsh, patëm një tragjedi në bregun e Himarës ku Jonada Avdiu ndërroi jetë dhe askush tashmë, pas largimit të Gledis Nanos nuk interesohet më për familjen e saj që tashmë ka mbi supe një barrë të rëndë.
‘Protestat? Unë që kur e shoh të hiqet ky ministër, të hiqet ky ministër... A e kishim rastin e Rashës, a iku ministri, ra protesta. U dha vendimi i gjykatës, të gjithë heshtën. Nëse i gjithë tensioni, por besoj se e largon, po a vendoset drejtësia? (...) Ndodhi dhe rasti tragjik i Himarës, që askush tani nuk e kujton më sesi po e përballon ajo familje atë humbje të madhe. U kujtuan vetëm që të hiqnin drejtorin e policisë.... Protesta është e shenjtë por duhet të ketë kauzë.’- tha gazetari.
Për ekspertin e kriminalistikës, policia e shtetit ka nevojë për një spastrim të madh, madje në tërmet për të pastruar nga përfshirja me krimin e deri te ndryshimi i mentalitetit.
‘U mburrëm me kamerat dhe realisht kanë shërbyer për zbardhjen e çështjeve kriminale. Unë nuk e cilësoj dot si vrasje të qëllimshme, është thjesht keq menaxhim shumë i madh i situatës. Duhet të heqë dorë nga këto inercitë e veta. Se ka një proces që të vonon dhe ndoshta për ato 30 minuta mund të ketë marrë një jetë.
Pyetje: Ku është problemi?
Në polici është thyer kodi moral. Është vazhdimësi e këtyre policëve që kanë pasur parcela hashashi. Kalimi te droga të nëpunësit që duhet ta luftojë është delikate....
Pyetje: Ri testimi për drogën për policinë?
‘Sigurisht. Madje dhe për alkoolin.
‘Policia ka nevojë për pastrim radikal, të tipit të bjeri tërmet të përplasë godina. Policia ka nevojë edhe për ndryshim mentaliteti, duhet të jenë më qytetar të qytetarëve. Nuk duhet parë as kapitalizmi si problem, kur ke zgjedhur të jesh polic nuk ke pse ndihesh xheloz se dikush ka një makinë me vlerë 2 herë më të madhe se shtëpia jote.’- përfundoi Rexhepi.
Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, veprim që mendohet ta ketë bërë nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.