Misteri i vdekjes tragjike të 3-vjeçarit në Tiranë, avokati: Polici i klinikës duhet të raportonte direkt! Urdhri i mjekut: Presim hetime, nëse vërtetohet mbyllet klinika

6 Tetor 2023, 16:00| Përditesimi: 6 Tetor 2023, 16:58

  • Share

Rasti tronditës i vdekjes së 3-vjeçarit si pasojë e një ndërhyrjeje kirurgjikale në gojë,  është një ngjarje që padyshim ka alarmuar opinionin publik. Sidoqoftë kontradikta nga ana e prindërve me atë të mjekut anestezist, Roland Xhaxho bën që ngjarja të jetë ende mister.

Në ‘Përballje’ me gazetaren Besmira Pelushaj, të ftuarit shprehën se fjalën e fundit për të nxjerrë në dritë të vërtetën e kësaj historie e japin hetimet e Prokurorisë.

Zv Presidenti i Urdhrit të mjekut, Dritan Trepçe tha se çështjen e ka marrë në dorë prokuroria e Tiranës dhe nuk mund të bëjnë verifikime paralele. Në momentin që hetimi përfundon atëherë ndërhyn Urdhri deri me pezullim të Licencës për klinikën, nëse vërtetohet dyshimi për “neglizhencë. 

   ‘Duhet të ndalemi në dy momente, kemi të bëjmë me një gabim mjekësor ose neglizhencë mjekësore.’- tha ai.

Ndërsa avokati Redi Ramaj thotë se një reagim më konciz dhe profesional do duhej të ishte edhe nga policia e shtetit. Sipas tij, oficeri përkatës që ka qenë në klinikën ku ndodhi ngjarja do duhej të raportonte menjëherë në organet kompetente sapo fëmija ka dalë nga spitali.

‘Më bën përshtypje mënyra si e ka trajtuar policia e shtetit. Se kuptoj pse s’është raportuar në momentin që shkoi në spital fëmija. Sepse fëmija ka qenë në gjendje kome pasi doli nga spitali, ndërsa e kundërta është pretenduar nga mjeku i cili tha se fëmija ka dalë mirë pas trajtimit. Nëse do të kishim një raportim më të qartë nga policia e shtetit do të ishte më e qartë për ne dhe opinionin publik. Shoh që mënyra sesi është trajtuar nga policia dhe spitali, mendoj se ka hapësira për t’u hetuar nga prokuroria.  Oficeri policor që ndodhej në spital do duhej të bënte një raportim direkt te instancat përgjegjëse.’- tha avokati, Redi Ramaj.

Ndërsa gazetarja e Report Tv, Enxhi Musaj risolli edhe njëherë dëshmitë kontradiktore të familjes së 3-vjeçarit dhe të mjekut anestezist.

‘Pretendimet e babait dhe ato të mjekut Xhaxho janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Më 28 shtator në orën 1 të mëngjesit, kanë dhënë leje për të bërë këtë ndërhyrje në gojë. Ata janë konsultuar me mjekun për të bërë 4 dhëmbë të djalit të vogël, më pas doktori e ka parë të nevojshëm të ndërhyrje në 14 dhëmbë të 3-vjeçarit. Ndërhyrja duhet të ishte e menjëhershme sepse bëhej fjalë për një fjalë që kishte lindur me probleme në zemër. Djal pas spitalit ka patur temperaturë të lartë. Më pas ata tentuan të marrin mjekun shumë herë në telefon por edhe klinikën, por askush nuk u është përgjigjur.’- tha Enxhi Musaj.

Por kjo u kundërshtua nga Trepçe i cili tha se vendimi për ndërhyrjen në 4 dhëmbë do duhej të merrej nga një kirurg e jo nga mjeku anestezist

Trepçe: Është e nevojshme të bëhet hetimi paraprak. Vendimi për të ndërhyrë në 4 dhëmbë, nuk e merr mjeku anestezist e merr kirurgu.

Musaj: Është bërë konsultim me mjekun anestezist dhe vajzës së tij që është stomatologe.

Avokati u shpreh se Prokuroria duhet të hedhë sa më shpejt dritë mbi këtë ngjarje tronditëse.

‘Prokuroria e ka shumë të shpejtë të hetojë ngjarjen. Thëniet janë aq kontradiktore sa kemi edhe shkelje të etikës nga ana e mjekut i cili nuk i ka hapur as telefonit. Prokuroria duhet të dalë me një vendim sa më shpejt.’- tha Ramaj.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?