Foto ilustruese

Misteri i zhdukjes së ish-sekretarit të II të Pogradecit në 70-ën: U tha vetëvrasje dhe Sigurimi s’na la ta hapnim arkivolin

15 Tetor 2022, 08:56| Përditesimi: 15 Tetor 2022, 08:59

  • Share

Në krahun e majtë të rrugës së spitalit në lagjen Nr. 4 të qytetit të Pogradecit, ndodhet një ndërtesë katër-katëshe ku banon Kamber Xhixho me familjen e tij. Kamberi është një burrë që sapo ka kaluar të 67 vitet e jetës, por thellë në shpirtin e tij prej 40 vitesh qëndron një enigmë e madhe, ai është në kërkim të zbardhjes së saj, pasi varianti zyrtar i pushtetarëve komunistë për vetëvrasjen e vëllait të tij të madh, Asqeri Xhixha, (atëherë kur kreu ‘vetëvrasjen’, ishte me detyrën e sekretarit II-të të Komitetit të Partisë së rrethit të Pogradecit), nuk është bindës për të! Kamber Xhixho kërkon të rrëfehet për dyshimet që ai ka për “vetëvrasjen” e vëllait të tij Asqeri Xhixha. Ai, në mënyrë private për gati 40 vjet, ka investiguar të gjitha faktet rreth vetëvrasjes së vëllait të tij dhe për këtë vetëvrasje ai ka shumë rezerva, pasi janë grumbulluar shumë pikëpyetje rreth kësaj ngjarje.

Kush ishte Asqeri Xhixha?

I lindur në fshatin Lubonjë të rrethit të Korçës në vitin 1934, i arsimuar për Gjeologji-Miniera, transferohet në rrethin e Pogradecit pranë Ndërmarrjes Gjeologjike por, shumë shpejt për punën e tij të palodhur, i ngjit shkallët e karrierës dhe në moshën 35 vjeçare në vitin 1969, emërohet Sekretar i Dytë i Komitetit të Partisë së rrethit, i cili mbulonte ekonominë. Në vitin 1970, ai fejohet me një vajzë nga Vlora.

Por krejt papritur në vjeshtën e vitit 1971, në pyllin e fshatit hapet fjala që Asqeri Xhixha është gjetur i vetëvrarë me pistoletë në dorë. Trupi i tij largohet shpejt nga vend-ngjarja dhe nuk lejohet të vijë në shtëpi, por e sjellin arkivolin me një makinë të policisë të nesërmen në momentin e varrimit, direkt në varrezat e fshatit, nën pretekstin se Partia e Punës aktin e vetëvrasjes së një kuadri të lartë të saj, e dënonte në çdo rrethanë që ai mund ta kishte kryer.

Nëna e tyre Fatime Xhixho, kërkon me këmbëngulje që të hapet arkivoli dhe bie sipër mbi arkivol por “Ata” që sollën arkivolin, në asnjë mënyrë nuk e lejuan, me pretekstin se, gjatë vetëvrasjes së Asqeriut, i është dëmtuar fytyra.

Dëshmia e vëllait, Kamber Xhixho

“Nëna arriti ta hapë pak arkivolin, gati me forcë, vetëm në pjesën e poshtme nga këmbët e tij…! Sapo mbaroi ceremonia mortore në varreza na thërret ne, fëmijët e saj dhe na thotë: ato nuk ishin këmbët e tim biri, ishte tjetër trup në arkivol. Neve ngrimë fare dhe thamë, se ky ishte një halucinacion i nënës nga dhimbja e madhe që kishte për vëllanë. Por vitet e mëvonshme i shtuan shumë mistere kjo vetëvrasje mbeti enigmë.

Z. Kamber, cilat ishin dyshimet?

“Vetëm një javë para se të kryhej ‘vetëvrasja’, Asqeriu shkon tek motra jonë, Zylfie Xhixho, që kishim të martuar në Dishnicë. Pasi takohet qëndron nja dy orë i menduar në shtëpinë e motrës.

-Çfarë ke e pyet ajo?

-“Partia më ka caktuar një detyrë shumë të rëndësishme nuk e di se a do t’ia dal mbanë…”?!, u përgjigj ai

Motra tregonte se ishte shumë i shqetësuar dhe pasi e përqafon si asnjëherë tjetër, i jep një shami të zezë për nënën që t’ia çojë në fshat, në Lubonjë. Po brenda asaj jave shkon dhe tek halla jonë në Tiranë dhe e takon edhe asaj i thotë se, është para një prove të madhe, të vënë nga Partia. Ishte shumë i trishtuar dhe lehtë ia lexoje në sy një brengë të madhe…!

Në vitin 1971, ndodhi vetëvrasja, një vetëvrasje misterioze në pyllin e fshatit, sipas një skenari se gjoja ishte grindur me të fejuarën dhe për këtë arsye vetëvritet. Trupi largohet menjëherë nga vendngjarja dhe çohet në varreza direkt për t`i hedhur pirgun e dheut.

Në vitin 1984, një kushëriri ynë i afërm, Novruz Hoxha, pranë Hotel Turizmit në Sarandë, dallon Asqeriun midis një grumbulli turistësh. Ai e sheh në një distancë të afërt dhe pasi fërkon sytë mirë dhe e këqyr më kujdes, i thërret: Asqeri. Ai e kthen kokën e shikon dhe pasi vë buzën në gaz, futet në një makinë që ishte aty, tip “Xhip”-i, dhe niset menjëherë.

Nevruzi vjen urgjent në Pogradec, se në kishim ardhur të gjithë në Pogradec, ku punonim dhe jetonim dhe na thotë se kishte parë me sytë e tij Asqeriun, madje e kishte parë shumë afër dhe kishte dalluar se vetëm një nishan që kishte në faqe, ai nuk ishte, por dukej qartë shenja që ishte hequr me ndonjë ndërhyrje kirurgjikale.

Kamberi thotë se u nisëm që atë natë në Sarandë dhe pasi udhëtuam gjithë natën, të nesërmen ishim në qytet e kërkuam gjithandej nëpër lokale dhe hotele, madje kërkuam edhe ndihmën e policisë në Sarandë, por më kot, ai ishte larguar. Edhe reagimi i drejtuesve të Policisë së Sarandës, ishte shumë indiferent, pasi folën edhe me qendrën në Tiranë…!

Por kulmi i të gjitha dyshimeve ishte viti 1987, kur ne vendosëm ta zhvarrosim për ta zhvendosur nga varrezat e fshatit Lubonjë, për në varrezat e Pogradecit, trupin e nënës sonë dhe të vëllait dhe t`i varrosnim në Pogradec. Ishte një amanet i nënës, që të më varrosni në varrin e djalit, të Asqeriut.

Të gjithë brenda nesh, ruanim dyshimin për enigmën e madhe, që pas 16 vjetësh, do të zbulonim atë varr enigmatik për të kryer zhvarrimin e vëllait tonë. Në fillim hapëm varrin e vëllait Asqeriut, i dinim të gjitha karakteristikat gjatësinë, por mbi të gjitha ajo që do të na bindte ne, ishte një dhëmb floriri që Asqeriu kishte në pjesën e përparme të gojës”.

(Kamberi me emocion tregon atë çast kur varrmihësit hapnin varrin, atyre zemra iu rrihte fort dhe vjen çasti që hapet varri).

“Të parën morëm kafkën thotë Kamberi dhe shikuam dhëmbët. Në një gazetë e vendosëm nofullat dhe kufoma i kishte të gjithë dhëmbët si rruaza të bardhë dhe nuk i mungonte asnjë dhëmb.

Dhëmbi i florinjtë s`dukej gjëkundi, në pozicionin e tij ishin dhëmbët origjinalë të pacenuar fare të kufomës që ishte në vend të vëllait tonë. Gjithashtu edhe këpucët ishin shumë të mëdha rreth numrit 44, kur Asqeriu kishte një këmbë të vogël nr. 40.

Megjithatë, shton ai, argument ishte vetëm dhëmbi i florinjtë, që na bindi, se në arkivol ishte futur tjetër njeri, prandaj nuk na linin që ne ta hapim.

Në heshtje e morëm kufomën, pasi ishte viti 1987 dhe kishe konsekuenca dhe e rivarrosëm me zemër të thyer në varrezat e Pogradecit, së bashku me nënën tonë. Që nga ai vit na bren ankthi ku është vëllai ynë?! Kemi filluar një investigim të hollësishëm.

Në vitet e tranzicionit kemi mësuar, nëpërmjet ish drejtuesve të Gjeologjisë, se kur ishte në Gjeologji, një ish-kryetar Dege i Punëve të Brendshme në ato vite, Kadri Ismailati, i cili e thërriste shpesh në punë dhe zhdukej për dy tri ditë….!

Për mua nuk ka asnjë dyshim tashmë, se vëllai im ndodhet diku larg atdheut dhe momentalisht është në moshën 84 vjeçare…! Ne jemi në pritje të një shenje jete prej tij, pasi unë jam i bindur që vëllai im jeton dhe atij në vitet e komunizmit, i është ngarkuar një mision i rëndësishëm nga qeveria e asaj kohe…!

Por një kërkesë e jona me foto para disa kohësh tek një emision televiziv për njerëzit e humbur, (çuam dhe fotografinë), na erdhi nga larg një zile telefoni: Alo kush jeni? Një zë i shtruar dhe shumë i qetë:

-“Jam Asqeri Xhixho”, ne shtangëm…!

-Jeni Asqeri Xhixho?! – Mos më kërkoni…! Telefonata u ndërpre menjëherë pas një psherëtime dhe, vërtet jeta e tij është kthyer në një psherëtimë”, e mbyll rrëfimin e tij vëllai i Asqeriut, Kamber Xhixho, i cili do të vazhdojë ta kërkojë pa ndërprerje, duke kujtuar një shprehje popullore që thotë se: “Shpresa vdes e fundit”. /Memorie.al/

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?