Xhoana dhuroi gjak për herë të parë, por thotë se nuk do të jetë e fundit. Nxitja i erdhi nga fëmijët e pediatrisë së Qendrës Spitalore Nënë Tereza, aty ku ka kryer praktikën e shkollës si teknike laboratori, që e shtynë 21-vjecaren të ndërmerrte këtë hap.
“Unë jam Xhoana Alla, viti i tretë për teknike laboratori. Është hera e parë që dhuroj gjak. Jam sensibilizuar duke parë rastet tek pavioni i pediatrisë, por dhe kur shikoja motrën time që është një dhuruese e rregullt. Mendoj që tani do bëhem dhuruese e rregullt. Kam lexuar benefitet. Organizmi im funksionon më së miri. Gjaku rikuperohet dhe organizmi do të funksionojë shumë herë më mirë. Unë kam qenë për praktikë tek pediatria dhe kam parë fëmijë me gjakun në duar. Ishte situatë e dhimbshme. Më ka ardhur shumë keq dhe kur ne plotësojmë të gjitha kushtet, pse mos të dhurojmë. Të dhurojnë gjak sepse dhurojnë jetë, dhurojnë buzëqeshje”, tha Xhoana.
Njëjtë si ajo, dhe rreth 30 studentë tjerë të Fakultetit të Mjekësisë dhe Juridikut u bënë pjesë e dhurimit të gjakut pranë Qendrës Kombëtare në Tiranë, e cila ka aq shumë nevoja për dhurues.
“Është një aktivitete i organizuar nga këshilli studentor i Fakultetit të Mjeksisë dhe Juridikut dhe nga organizata zëri i arsimit. Është një nismë që ne realisht duam ta vazhdojmë dhe ta organizojmë dhe në më shumë universitete të tjera”, tha Mikel Seferi, student i mjeksisë.
“Arritëm nëj punë të mirë. Një punë me vlera të mëdha. Duhet të mobilizohemi dhe të bëjmë një vepër kaq të mirë. Të gjithë të në bashkohen, për personat që kanë nevojë”, Kristian Nela, student i juridikut.
Kjo nismë për dhurimin e gjakut u ndërmor nga unioni Zëri i Arsimit dhe këshilli studentor i Fakultetit të Mjekësisë dhe Juridikut, ndërsa dëshira është që të jetë e përhershme. Për të plotësuar nevojat për gjak, duhet që çdo ditë të dhurojnë të paktën 100 persona, shifër kjo e vështirë të plotësohet gjatë verës.