Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari

Kronikë

Mjekësia Ligjore/ Ministri Lamallari: Puna e ekspertëve lidhet direkt me besueshmërinë e drejtësisë

9 Tetor, 15:56| Përditesimi: 9 Tetor, 16:10

  • Share

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e Akademisë së Shkencave Mjekësore Ligjore (BAFS), e cila u organizua për herë të parë në Tiranë, duke sjellë së bashku ekspertët më të njohur të shkencave mjeko-ligjore nga i gjithë Ballkani, si edhe pjesëmarrës nga Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, tregoi përpjekjet e Shqipërisë për rivitalizimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe rritjen e standardeve të punës e ekspertizës.

Teksa vlerësoi rëndësinë e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shqipëri, si i vetmi institucion që mban një peshë të madhe dhe historik të gjatë, ministri Lamallari përmendi gjithashtu investimet për modernizimin e këtij institucioni si rikonstruksioni i plotë i godinës, ngritja e Laboratorit të Toksikologjisë me standardet europiane, si dhe shtimi i kapaciteteve të Morgut.

"Mjekësia ligjore është një gur themeli i sistemit të drejtësisë. Çdo raport ekspertësh kontribuon në hetime të sakta, gjykime të drejta dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Cilësia dhe integriteti i punës mjeko-ligjore lidhen drejtpërdrejt me besueshmërinë e vetë drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë mbetet plotësisht e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit midis Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorisë dhe gjyqësorit, duke siguruar që opinionet ekspertëve të vazhdojnë të jenë baza të besueshme për vendimet gjyqësore”, tha ministri Lamallari gjatë fjalës së tij. 

Në vijim ai tha se shkenca mjeko-ligjore nuk është thjesht një disiplinë, është një mision në shërbim të së vërtetës, përgjegjësisë dhe dinjitetit njerëzor. 

“Ajo është pjesë përbërëse e shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe transparencës së institucioneve publike. Në këtë frymë, Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht pavarësinë dhe profesionalizmin e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në shërbim të shoqërisë. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë profesionistët e mjekësisë ligjore për përkushtimin dhe integritetin e tyre në kërkimin e drejtësisë. Për brezin e ri të ekspertëve: puna juaj do të formësojë të ardhmen e kësaj fushe në Shqipëri dhe më gjerë”, deklaroi Ministri i Drejtësisë. 

Me organizimin e kësaj konference në Tiranë, Shqipëria i bashkohet rrjetit të vendeve që e vlerësojnë mjekësinë ligjore si një urë thelbësore mes shkencës dhe drejtësisë. Instituti i Mjeksësi Ligjore është i vetmi institucion në të gjithë Shqipërinë, i cili mban një ngarkesë prej rreth 18000 vendime të cilat përkthehen në akte ekspertimi, në fushat: mjekësi ligjore, psikiatri ligjore, toksikologji ligjore, biologji ligjore etj.

Pjesën më të madhe të këtij volumi pune brenda vitit e zë mjekësia ligjore me rreth 9500 akt dëshmi, dokumenta çështje, autopsi etj.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?