Në vendin tonë janë mbi një mijë të prekur me COVID-19 të cilët ndiqen nga mjekët e familjes. Mjekët e familjes po ndjekin pacientët e prekur me Covid19 që ndodhen në shtëpi me simptoma të lehta, sipas protokolleve të përcaktuara.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë mbi 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë. Në të gjithë vendin janë mbi 2500 raste aktive, ku gjysma e tyre janë me simptoma, pra janë duke u ndjekur nga strukturat tona të kujdesit parësor. Me pacientët po veprohet me kartelizim elektronik me të dhënat e tyre, nëse, kanë shenja, kanë simptoma të Covid19 dhe terapitë e tyre të mjekimit.
Në qendrën shëndetësore nr.10, ka rreth 30 pacientë të konfirmuar me Covid19 që po ndiqen nga mjekët e familjes. Të gjithë personat që kanë nevojë për konsultime mund të telefonojnë në numrin 0800 400 400.
Spitalet Covid-3 dhe Covid-4 janë tërësisht të pajisur dhe të gatshëm të presin personelin mjekësor dhe pacientët, por do të hapen pasi të jenë ezauruar shtretërit në Covid-1 dhe Covid-2.