Në një kohë kur mbi Juventusin flitet vetëm për mashtrime financiare dhe shkelje të mundshme një rrëfim i futbollistit Emre Can ka bërë jo pak përshtypje. Ish-futbollisti i Juventusit, i cili në verën e 2018 la Liverpool-in për t’u bashkuar me ‘zonjën e vjetër’, thotë se vetëm falë mjekëve të klubit italian arriti të identifikonte dhe të kurohej nga kanceri.
Në një intervistë për DAZN Can u shpreh se do të jetë gjithmomë mirënjohës ndaj Juventusit pavarësisht se aventura në aspektin futbollistik nuk ishte edhe aq pozitive. “U jam jashtëzakonisht mirënjohës mjekëve. Disa muaj pas vizitave mjekësore me Juventusin mjekët më thirrën ndërkohë që unë nuk e dija as se çfarë po ndodhte. Nuk kisha dëgjuar kurrë për tiroidet dhe aq më shumë nuk e dija se mund të kishin tumor. Transferimi në Torino ia vlejti vetëm për këtë.
Unë kisha kancer në tiroide dhe kisha nevojë urgjentisht për operacion. Kjo ndryshoi jetën time. Ju mund të keni shumë gjëra, mund të keni shumë para, mund të keni gjithçka, por shëndeti është gjëja më e rëndësishme. Këto janë gjëra që ndodhin në jetë, por unë u bëj thirrje të gjithëve të zhvillojnë kontrolle,”-u shpreh mesfushori gjerman me origjinë turke i cili aktualisht luan te Dortmundi.
Klinika mjekësore e Juventusit, “J-Medical”, vlerësohet si një nga më të mirat në botë.