Bota

Mjekët në Indi: Janë gjetur 270 trupa nga vendi i rrëzimit të avionit në Ahmedabad

15 Qershor, 11:03| Përditesimi: 15 Qershor, 11:07

  • Share

Mjekët në Indi thonë se 270 trupa janë nxjerrë nga vendi ku u rrëzua avioni të enjten në Ahmedabad.

Avioni që kishte si destinacion Londrën u rrëzua në një zonë banimi pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë pasagjerëve dhe ekuipazhit – përveç një personi të mbijetuar, një britanik 40-vjeçar.

Zyrtarët po përpiqen gjithashtu të përcaktojnë se sa njerëz kanë humbur jetën në tokë dhe po vijojnë me procesin e ngadaltë të krahasimit të mostrave të ADN-së për të konfirmuar identitetin e viktimave.

Homazhe për të ndjerët janë mbajtur në mbarë Indinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Hetimet për shkaqet e aksidentit po drejtohen nga Byroja Indiane për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (AAIB), me ndihmën e ekipeve nga SHBA dhe Britania.

Të premten, në vendin e ngjarjes u gjet kutia e zezë, për të cilën ministri indian i aviacionit civil, Ram Mohan Naidu Kinjarapu, tha se do të ndihmojë “ndjeshëm hetimin” për tragjedinë.

Më pak se 60 sekonda pasi ishte ngritur nga aeroporti ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel i Ahmedabadit, avioni humbi lartësinë dhe u përplas me një ndërtesë që përdorej si banesë për mjekët e Kolegjit Mjekësor BJ dhe Spitalit Civil.

Të shtunën, presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Rinj të kolegjit, Dr. Dhaval Gameti, konfirmoi se spitali kishte pranuar trupat e 270 viktimave.

Nga këta, besohet se 241 ishin pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të fluturimit AI171.

Sipas të dhënave të faqes për ndjekjen e fluturimeve Flightradar24, avioni Boeing Dreamliner 787-8 ishte 11 vjeç dhe kishte operuar 25 fluturime nga Ahmedabad në Londër Gatwick gjatë dy viteve të fundit.

Si përgjigje ndaj aksidentit të së enjtes, autoriteti rregullator i aviacionit në Indi, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DGCA), urdhëroi kontrolle shtesë sigurie për flotën e avionëve Boeing 787-8 dhe 787-9 të Air India-s, duke e përshkruar këtë si një “masë parandaluese”.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, kaloi rreth 20 minuta duke parë vendin e ngjarjes të premten.

Ai vizitoi gjithashtu spitalin për të takuar disa prej të plagosurve, përfshirë të vetmin të mbijetuar nga avioni, Vishwashkumar Ramesh, duke deklaruar më pas se “i gjithë kombi po lutet për shërimin e tij të shpejtë”.

Edhe drejtori ekzekutiv i Air India-s, Campbell Wilson, vizitoi vendin e përplasjes të premten, duke e përshkruar këtë përvojë si “thellësisht prekëse”.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?