E fejuara shtatzënë e kryeministrit anglez Boris Johnson, Carrie Symonds, nëpërmjet një postimi ka falënderuar pa masë shërbimin shëndetësor të Anglisë, pasi partneri i saj doli sot nga Spitali i “St Thomas” në Londër.
Për tre net Boris Johnson qëndroi në terapi intensive, duke frikësuar Stmonds dhe jo vetëm. Diçka për të cilën e fejuara e kryeministrit britanik thotë se ka kaluar momentet më të errëta të jetës së saj.
“Kishte momente javën e kaluar që ishin vërtet shumë të errëta. Zemra ime është me të gjithë ata që janë në situata të ngjashme, të shqetësuar e të sëmurë për të dashurit e tyre. Unë nuk mund të falënderoj mjaftueshëm NHS tonë të mrekullueshme. Stafi në Spitalin ‘St Thomas’ ka qenë i jashtëzakonshëm. Unë kurrë nuk do të jem në gjendje t’ua shpërblej dhe kurrë nuk do të ndalem së falënderuari”.
Vetë Symonds njoftoi se ajo ka koronavirus, pasi Johnson hyri në izolim. Të shtunën e kaluar, ajo tha se e kaloi javën në shtrat me simptomat kryesore të koronavirus, por që nga atëherë është e shëruar.
“Të qenurit shtatzënë me Covid-19 është padyshim shqetësuese. Për gratë e tjera shtatzëna, ju lutemi lexoni dhe ndiqni udhëzimet më të përditësuara, të cilat unë mendoj se ishin siguruese”.