Sot në “Esencë” ndamë një bisedë me psikiatren Arjana Rreli. Një rrëfim për jetën dhe rrugën e gjatë në mjekësi. Ka qenë në vajzë çapkëne, e apasionuar pas sporteve fillimisht dhe më vonë me dëshirën për tu bërë arkitekte. Gjërat ndryshuan kur shtyrë edhe nga dëshira e familjes së saj për të pasur një mjek në familje ajo zgjodhi mjekësinë.
Në periudhën e gjimnazit dhe po ashtu të studimeve Arjana kujton ndikimet e fuqishme që ka marrë nga profesorët e saj, për të cilët është mirënjohëse. Një marrëdhënie dhe një kontribut që kanë ndryshuar qasjen e saj të mëvonshme në jetë. Po ashtu edhe mbështetjen që ka marrë prej tyre në fillimet e punës si mjeke psikiatre.
Me një pasion që nuk e kanë zbehur vitet për punën që bën, Arjana tregon se të bijat nuk kanë zgjedhur rrugën e saj në profesionet e tyre dhe për këtë asaj nuk i vjen aspak keq. Jo vetëm për profesionin, por pasioni i Arjanës shkon nga sportet ekstreme tek dëshira e madhe për udhëtime dhe madje në terrene të vështira. Një adrenalinë që ajo thotë se nuk ia fal asgjë tjetër. Një lidhje po aq të fortë ka më kafshët një prej marrëdhënieve tashmë kaq shëruese për njeriun.
Momente emocionuese për Arjanën në program nga video mesazhe të ndjera prej dy vëllezërve dhe vajzës së saj. Dhe në fund një tufë me lule, metafora e bukur e marrëdhënies së saj të dashurisë.
“E kam gjetur vonë por gjithkujt ia uroj fatin tim”- u shpreh ajo ndërsa partneri i saj i dërgoi bashkë me lulet një letër të ndjerë dashurie.