Rasti i infektimit të bluzave të bardha por dhe fëmijëve ka qenë një nga pikat e diskutimit në "Repolitix" në Report TV, ku deri më tani janë 234 personel mjekësor të prekur dhe 126 fëmijë.
Sipas epidemiologes Rovena Daja deri tani janë 234 raste të prekur tek bluzat e bardha, ku pjesa më e madhe e tyre janë infektuar në vendin e punës nga kontaktet me persona që kanë pasur virusin, por dhe ata që e kanë marrë virusin nga kontakte jashtë dhe kanë infektuar më pas kolegët.
"Kemi staf mjekësor të infektuar, aktualisht janë 234 raste që kanë pasur kontakt me persona me COVID-19 dhe janë infektuar në vendin e punës, por ka dhe nga ata që e kanë marrë jashtë si në rastin e disa infermierëve dhe më pas kanë infektuar stafin. Gjithashtu kemi dhe dy raste të humbjes së jetës tek mjekët", tha Daja.
Në lidhe me rastet e fëmijëve të infektuar, Gjeorgjina Kuli tha se janë 126 fëmijë të prekur nga koronavirusi dhe rasti më i vogël ka qenë 3 javësh. Në lidhje me rastin e fëmijës 2 muajsh i shtruar te Pediatria, Kuli tha se ka disa simptoma për shkak dhe të disa sëmundjeve të tjera, por që nuk ka probleme me frymëmarrjen. Në lidhje me shfaqjen e simptomave, Kuli tha se rastet e simptomave shfaqet me shumë tek më të vegjlit, por që fatmirësisht në Shqipëri nuk ka pasur fëmijë me simptoma mjaft të theksuar nga koronavirusi.
"126 fëmijë të infektuar, rastin më të vogël e kemi pasur 3 javësh. Rastet e tjera janë ose asimptomatik ose me simptoma të lehta. Deri më sot nuk kemi pasur fëmijë me shenja të rënda. Rastin e fundit e kemi pasur 2 muajsh qe ka pasur edhe disa sëmundje te tjera por jo vështirësi në frymëmarrje. Ato pak raste që kanë qenë pak më të renda kanë qene moshat e vogla. Fëmijët janë dhe mbrojtjen e antikorpeve që i merr dhe nga qumështi i nënës dhe ka një farë mbrojtje që të mos thellohet apo mbivendoset infeksioni", tha Kuli.
Lajmi kryesor:
Gjeorgjina Kuli në 'Repolitix': Komiteti Teknik vendosi, maska e detyrueshme ose gjoba! Epidemiologia: Disa thyen karantinën, por Kodi Penal s'u zbatua (VIDEO)
//ReportTv.al