E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte mjekja pediatre Mirela Dibra e cila foli për virozat që janë duke qarkulluar në këtë periudhë dhe kujdesi për fëmijët.
”Është kulmi i sezonit dhe kemi shumë viroza respiratore në qarkullim, kështu që numri i pacientëve që paraqiten për konsulta është i lartë” u shpreh mjekja në fillim të intervistës online, duke shtuar se ende nuk ka nisur kurba zbritëse e shifrave.
Sipas mjekes, kjo periudhë karakterizohet me ditë me temperaturë të lartë dhe më pas me disa ditë me temperaturë të ulët tek fëmijët.
”Ka shumë prindër të cilët tremben shumë nga temperatura dhe mundohen me çdo kusht që t’a normalizojnë” shtoi ajo, duke nënvizuar se dhënie mbi masën e kurave mund të shkaktoj hipotermi kur temperaturat ulen.
Po çfarë duhet të bëjnë prindërit në rastet e temperaturës së ulët? Së pari nuk duhet të teprohet me dozat e antipiretikëve, të japinlëngje të ngrohta, t’i fusin napa të ngrohta në trup dhe t’i largojnë rrobat e ftohura, pa harruar dhe vendosjen e borsave me ujë të ngrohtë.
‘Kur kemi marrë të gjitha këto masa dhe temperatura është prap e ulët, duhet të paraqitemi për vizitë tek mjeku për një kontroll’ tha doktoresha.
Por çfarë këshillash praktike mund te jepen për uljen e temperaturës? Temperatura deri në 38 gradë celcius konsiderohen temperatura që nuk kanë nevojë të ulen me çdo kusht. Duhet të kemi një hidratim konstant të fëmijës, përdorimi i kontrolluar i paracetamolit apo ibuprofrenit.
'Ushqimi duhet të jetë sa më i lehtë për fëmijët në këtë periudhë, duke përfshirë kalori dhe vitamina të shëndetshme” tha ajo, duke shtuar se konsulta me mjekun nëse kemi ende temperaturë të lartë, është gjithmonë e domosdoshme.