E ftuar në studio në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte doktoresha Nereida Xhabia, mjeke kardiologe, e cila foli për sindromën e zemrës së thyer.
Sipas studimeve, kjo nuk është një metaforë, por fenomeni ekziston vërtet.
“Kur përmendet për herë të parë, njerëzit mendojnë se është një fiksion, por nuk është kështu”, tha mjekja në fillim të bisedës.
Në rast se personi përjeton një goditje të fortë psikologjike, si humbja e një të afërmi apo divorci, mund të ndodhë si fenomen. Paraqitja e pacientit ngjan me një atak në zemër. Sipas mjekes, kjo ndodh për shkak të bllokimit të enëve të gjakut dhe gjendjes psikoemocionale; mund të krijohen probleme kardiake që më parë nuk kanë qenë.
Ka dhe shkaktarë fizikë, veç atyre emocionalë. Mjekja tha se stresi është një nga faktorët kryesorë që shkaktojnë sindromën e zemrës së thyer.
“Stresi kronik çon në dobësimin e muskulit të zemrës, gjë që shkakton anomali”, shtoi mjekja.
Një pjesë e muskulit të zemrës, kryesisht maja e zemrës, bëhet si një tullumbace, duke dalë jashtë funksioni totalisht. Mjekja tha se e sheh të nevojshme që njeriu të jetë i gatshëm për të përballuar problemet e shëndetit mendor, ndaj duhet bërë punë me veten.
“Ka shumë gjasa që një personi që i ka ndodhur njëherë, ky sindrom t’i përsëritet nëse nuk fiton disa mekanizma mbrojtës mendorë”, shtoi mjekja.
Zakonisht, mjekja shpjegoi se nga ky sindrom preken moshat e mesme dhe se ajo ka pasur dy raste të tilla, por fatmirësisht nuk kanë përfunduar me fatalitete, por janë stabilizuar.
Lajmi kryesor:
Endokrinologia Tea Shehu Kolnikaj për ‘Klinika 24’: Gjendra e hipofizës, përgjegjëse për shumë çrregullime në organizëm
A.Q/E.H/ReportTv.al
