Mjeku i familjes, Eduard Bajraktari ka dhënë një intervistë për Report Tv, për protokollet Anti-Covid për të karantinuarit në shtëpi.
Ai foli për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakimi duke thënë se flasin me telefon me personat e prekur me koronavirus dhe u sugjerojnë gjatë gjithë kohës për ilaçet dhe veprimet që duhet të bëjnë.
"Si mjek familje mbuloj një zonë relativisht të madhe, që është në njësinë numër 4 dhe 3 mijë banorë kemi si ngarkesë dhe në këtë grupmoshë që kemi ne, mbulojmë moshat e mëdha. Aktualisht në grupmoshën time kam 20 familje, të cilat unë i ndjek me telefon nga shtëpia, të cilët janë të karantinuar dhe marrin atë ndihmën për kujdesin. Më te prekurit janë grupmoshat deri në 30-80", tha mjeku.
Më pas ai foli edhe se çfarë duhet të bëjnë personat që shfaqin ndonjë simptomë të koronavirusit.
"Hapi i parë dhe kryesor është lidhja me mjekun e familjes, duke dhënë simptomat që janë të domosdoshme, më pas dhe shenjat e tjera. Është një marrëveshje mes mjekut dhe të infektuarit, i cili do të qëndrojë në banesën e tij dhe mjeku i familjes vendos stadin ku ndodhet sëmundjes. Pastaj flasim me pacientin i dërgojmë edhe terapinë", tha Bajraktari.
Ndërkohë që tregoi edhe se çfarë bën mjeku pasi merr telefonatën nga pacienti.
"Që në momentin që ne marrim telefonatën, dërgojmë emrin tek epidimeologu dhe ata marrin masa për të bërë tamponin. Gjatë kohës që iu shkon emri karantinohen në banesë dhe i ndjekim", u shpreh mjeku.
Mjeku Bajraktari u pyet gjithashtu se sa mund të kushtojë trajtimi për një pacient që infektohet me koronavirus, por nuk mund të jepte një informacion të saktë.
"Nuk e kam specifike, në rastin tim këta pacientë marrin rimbusim, pasi kam pacientë të cilët vuanin edhe nga sëmundje të tjera dhe ia rimbusonte shteti, është një kosto që eliminohet. Nuk mund të futem më tej tek kostot, po ata e zgjedhin vetë", deklaroi mjeku.
Më tej Bajrqaktari shtoi duke thënë se ka raste kur tamponi del negativ, por personi ka simptomat dhe duhet të qëndrojë në shtëpi deri sa ta kalojë.
"Personat në momentin që kontaktojnë me mjekun e familjes dhe japin simptomat u bëhet e ditur që të qëndrojnë me familjarët në shtëpi. Kemi raste që tamponi ka dalë negativ, por është i prekur, ka simptoma. Do të thotë që ai do të bëjë minimumin 14 ditë në banesë. Shumica e familjarëve janë të bindur që të qëndrojnë në banesë", tha mjeku.
Ai dha edhe disa këshilla për të prekurit nga koronavirusi.
"Sa më shumë lëngje e çajra, të hidratohen, të qëndrojnë në kontakt me mjekun e familjes dhe mjekët specialistë, të ndjekin këshillat e mjekut deri sa të dalë tamponi i ditë negativ dhe të shërohen", përfundoi mjeku Bajraktari.