Foto nga postimi i mjekut

Mjeku i QSUT-së apel të fortë për qytetarët: Fati i epidemisë është në duart tona

15 Gusht 2020, 12:04| Përditesimi: 15 Gusht 2020, 12:08

  • Share

Neurokirurgu i spitalit “Nënë Tereza”, Artur Xhumari  kërkon nga njerëzit të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të respektojnë masat e vendosura që të frenohet përhapja e virusit të rrezikshëm.

Ai thotë se janë të shumtë ata që nuk besonin, por kur u prekën nga Covid-19, iu drejtuan mjekëve, të cilët janë në një betejë të vështirë prej 6 muajsh në spitale. Mjeku këshillon të gjithë qytetarët që të respektojnë masat si mbajtja e higjienës, mbajtja e maskës apo distancimi fizik.

Postimi i plotë:

“Mens sana in corpore sano” Në këto ditë të tensionuara, kur asnjëherë më shumë nuk është folur për shëndetin dhe shëndetësinë, kur na duhet të luftojmë me një virus, që ka gjunjëzuar globin, kur COVID 19 është mes nesh dhe e shoh në pacientë, por edhe në familje, duket, se më të çoroditura janë pikërisht mendjet...Kam dëgjuar gjithëfarë çudish këto kohë, me konspiracione masonike, protesta publike kundër masave anti-COVID, që “shkelin liritë e njeriut” dhe jo pak herë kam qeshur me vete… por tani, jo më… Nuk është as shaka dhe as “lojë luftash” si ato që bënim kur ishim fëmijë… Sa të shumtë kanë qenë ata, që ulur nga divani komod i shtepisë jepnin mend në rrjete sociale, që donin t’i mbushnin mendjen dynjasë se ky virus nuk ekziston; të tjerë që shanin sistemin, mënyrën e menaxhimit, baltosnin mjekët… Por kur COVID u hyri në shtëpi, heshtën dhe iu drejtuan atyre bluzave të bardha që kishin ndyrë me fjalët e tyre të papeshuara. Epo, mirë.. E dimë që sistemi ka jo pak të meta, por le të shohim përtej, le të shohim përreth… Çfarë po ndodh?! Brukseli ka 50 të sëmurë të rinj për 100 mijë banorë në ditë (1500 nëse do ishte Shqipëria). Po Belgjika ku ka gabuar?

Popuj qeflinj si italianet apo spanjollët pësuan katastrofë sanitare derisa mblodhën mendtë. Po ne ç’popull jemi? Nuk është çështje menaxhimi, as sistemi. As duam të edukohemi dhe as kemi besim. Të mos jemi hipokritë, edukata jonë shëndetësore nuk është as bazike. Shkojmë tek mjeku vetëm kur sëmuremi e tek dentisti, kur na dhëmb dhembi. Besojmë portalet e komshiun, por jo mjekun. Rajone të Spanjës ndalojnë duhanpirjen në publik; Parisi e Brukseli vendos me detyrim maskën në hapësira publike. Këto lajme duhet të shqetësojnë çdokënd, por dhe duhet të na bëjnë të reflektojmë… Shqetësuese është se në vende me ekonomi shumë më të fuqishme se ne, me kujdes shëndetësor me arritjet më të fundit të shkencës, situata e përhapjes së infeksionit është përkeqësuar. Po në vendin tonë me fuqi të pakët ekonomike? Reflektimi duhet bërë mbi masat e strategjisë së ndalimit të përhapjes, themeli i të cilave është ndryshimi i sjelljes sonë! Fati i epidemisë është në duart tona! Çdokush le të ndryshojë sjelljen e zakonet. Kjo do e pengojë përhapjen e virusit; do t’ i japë kohë shkencës të gjejë “armën” kundër virusit. Kjo do të minimizojë vdekjet. Nuk kërkohet shumë prej nesh: Mbaj distancë fizike, Mbaj maskë, Izolohu dhe telefono mjekun e familjes, nëse ke shenja të COVID 19 Nuk ka shkop magjik për këtë pandemi. Lufta nuk fitohet me retorikë boshe, statuse facebooku dhe deklarata të pamenduara, por me përgjegjshmëri të lartë. Trup i shëndoshë në një mendje të shëndoshë! Kjo është strategjija!

Komento

Komente

  • Hysni Osmanaj: 15/08/2020 13:19

    Njerez...jini vigjilent... degjoni apelin e dr. Artur Xhumarit. Apel qe vjen jo vetem nga nje mjek i perkushtuar deri ne sakrifica sublime ne mbrojtje te shendetit nga pandemia dhe jo vetem... por edhe te nje intektuali dhe atedhetari te vertete, qe keshillon per masa te forta parandaluese, larg retorikes dhe politikave te grupeve te caktuara......Te bashkuar do ja dalim!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?