Një moment befasues gjatë mitingut të PD-ADSHM mbrëmjen e sotme ka qenë prezenca e një mjeku në podiumin e folësve.
Ishte mjeku Shkëlqim Ahmetaj ai që i hutoi të pranishmit mbështetës të opozitës, teksa ishte ftuar aty si një mbështetës socialist i zhgënjyer nga Edi Rama dhe qeverisja e tij.
Por që në fjalën e mbajtur u shpreh se “do të ishte socialist pas ditës së mbrëmshme kur dëgjoi Ramën, pas të hënës kur të lexohet rezultati”. Dhe të gjitha këto i tha duke qëndruar përballë Berishës.
Kjo deklaratë shkaktoi edhe një hutim, teksa pati edhe ovacione e fërshëllima të shkëputura, që nuk kuptoheshin nëse ishin mbështetje apo një “sulm” si kundërshtar.
Në fund të fjalës së tij ai deklaroi mbështetjen për ndryshimin, por në asnjë rast për Aleancën Madhështore dhe jo në mënyrë të hapur, teksa i kërkoi Sali Berishës që të realizonte premtimin për qendër multidisiplinare për familjet me fëmijë me probleme.
“Është e vërtetë që jam një socialist prej 30 vjetësh. Ndoshta do të jem edhe pas ditës së mbrëmshme, kur dëgjova kryeministrin, por do të jem edhe nga dita e hënë, kur do të lexohet rezultati. Unë jam këtu për t’ju thënë se këto 12 vite të qeverisjes socialiste kam qenë pjesë e administratës duke ndihmuar njerëzit në nevojë, kam qenë pranë njerëzve në nevojë. Kam ndjerë zhgënjim sepse e kam ngritur në çdo fushatë elektorale problematikën e njerëzve në nevojë. Ne nuk kemi qendra multidisiplinare që të trajtojnë familjarët dhe fëmijët e atyre që kanë probleme. Çdo familje që ka fëmijë që vuajnë nga këto probleme, sot vuajnë sfida të jashtëzakonshme. Doktor jam këtu për të kërkuar nga ju që të shtoni një premtim të mbajtur për këtë kategori për këtë qendër multidisiplinare. Kurrë mos e shisni votën, për asnjë arsye, liria nuk blihet. Jeta e njeriut nuk ka çmim. Ndoshta edhe ndaj meje do hidhen akuza se jo u shit, jo u ble, mos e shisni votën”, tha mjeku.
Komente
