Tashmë që po futemi në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, ekspertët e shëndetësisë thonë se transmetueshmëria e COVID-19 rritet, ndaj dhe sistemi shëndetësor duhet të jetë i përgatitur. Vendimi i qeverisë për mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambientet e jashtme duket se nga shumë qytetarë është pritur mirë, por ka dhe një pjesë të vogël që kanë shprehur pakënaqësi për këtë vendim.
Mjeku Andi Koraqi, anëtar i Komitetit të Ekspertëve, i ftuar në emisionin Pa Protokoll në Report Tv thotë se sistemi shëndetësor po përgatitet për të përballuar një shtim të rasteve. Ai thotë se numri i testimeve do vijojë të rritet dhe se epidemiologët janë çdo ditë në terren duke gjurmuar kontakte të të infektuarve. Gjithashtu në këtë periudhë, Koraqi thotë se shtohen dhe rastet e gripit sezonal, duke e bërë situatën më konfuze na raport me të infektuarit me COVID.
Ai tha se duhet që të bëhen sa më shumë teste laboratorike për të bërë dallimin e atyre që janë të prekur nga COVID dhe ata me grip të thjeshtë. Ndërkohë për mbajtjen e maskave Koraqi u shpreh se është e domosdoshme mbajtja e saj e cila ul shumë rrezikun e infektimit.
" Strategjia e testimeve, nuk ka asnjë të dhënë numri i testimeve ul numrin e rasteve. E rëndësishme është gjurmimi dhe izolimi. Testimet janë më të mëdha në Italia pasi shkojnë në raport me numrin e popullsisë. Gjurmimi i epidemiologëve bëhet 24 orë në 24. Në komitetin e ekspertëve, mjekët mbulojnë një pjesë të caktuar. Të gjitha masat që merren, është për të parandaluar krizën e sistemit shëndetësor. Numri i të infektuarve në janar nuk dihet nëse do të 5 fishohet apo të dhjetëfishohet, askush nuk mund ta di këtë, ndaj po merren masa. COVID-19 është një virozë respiratore e cila e ka kulmin në sezonin e dimrit. Testimi laboratorik është i rëndësishëm për të bërë dallimin mes COVID dhe gripit sezonal. Të testohet me ato që quhen teste multiplekse, një testim që nxjerr dhe nëse je infektuar me COVID apo nëse është një virozë e stinës." - tha Koraqi.
Koraqi shprehet se rritja e testimeve deri në fillim të vitit tjetër do të bëhet në bazë të një studimi dhe të disa indikatorëve gjatë kësaj periudhe.
"Unë nuk të them numrin ekzakt se sa do të shtohen numrat e testimeve por në projekt është që numrat të shtohen. Kolegët me të cilët bisedoj tregojnë që ka një gjurmim deri në detaj, në kontaktin e fundit. Është një mendim i komitetit të ekspertëve. Ka skenare të cilat varen nga indikatorët e shëndetit publik, përqindja e pozitivitetit" tha Koraqi.
Një tjetër çështje që u shtrua gjatë emisionit është dhe nevoja e pacientëve me sëmundje të tjera për të marrë kurim në në spital. Mjeku Andi Koraqi tha se spitalet aktualisht kanë kapacitete për të pritur dhe këta pacientë, madje duke shtuar se siguria në spitale është e madhe. Ai tha se rrezikshmëria për tu infektuar me koronavirus në spitale është e ulët.
"Ky problem është në të gjithë botën. Nuk mund të përgatitësh një sistem shëndetësor për një pandemi. Një reanimator nuk mund të përgatitet për 6-7 muaj. Gjatë specializimeve që janë bërë në mjekësi, numri i infeksionistëve është rritur, është katërfishuar. Janë përcaktuar spitalet e COVID në mënyrë që spitalet e tjera të vendosen në funksion të pacientëve me probleme të tjera shëndetësore. Është e pashmangshme trajtimi i të gjithë sistemit shëndetësor. Strukturat spitalore janë të përgatitura që të presin dhe pacientë të tjerë dhe në mënyrë që të mos infektohen nga COVID-19. Është totalisht një vend i sigurt, pasi të gjithë që hyjnë bëhet një testim përpara për COVID dhe më pas izolohen" - tha mjeku.
I ftuar në emision ishte dhe mjeku Albert Troci nga Italia. Nëpërmjet një lidhje Skype ai sqaroi dhe situatën epidemiologjike në vendin fqinj duke pasur parasysh se prej disa ditësh ka pasur një rritje të numrit të të infektuarve. Vetëm këtë të premte u regjistruan mbi 10 mijë raste të reja.
Troci thotë se masat parandaluese janë marrë nga qeveria, por vendosi theksin tek stafet mjekësore. Ai tha se pavarësisht se mund të shtohen kapacitetet spitalore si shtretër apo dhe pajisje respirative, duhen shtuar patjetër dhe mjekët në raport me këto të tjerat.
"Këto 2 javët e fundit, situata është përkeqësuar. Dukej sikur po mbronte veten por javën e fundit kemi pasur shpërthim rastesh. Duket sikur po krijohet panik në spitale. Presim vetëm pacientë COVID. Sot kishim 10 mijë raste. Në terapi intensive por rriten shumë. Masat janë marrë. Në Itali ka rreth 2 javë që janë vendosur masa, maskat janë bërë të detyrueshme në ambientet e jashtme. Ka pasur protesta të vogla kundër kësaj mase. Hapja e shkollave nuk është domosdoshmërisht shkaku i shtimit të rasteve. Por është dinamika e jetës këtu në Itali. Këtu ka debate, nga ana shkencore ka studime ku përfshihen vetëm maskat kirurgjikale dhe jo ato prej cope. Në këto studime, japin një ulje të transmetimit të virusit. Mund të rritësh kapacitetet spitalore, shtretër dhe mjetet respirative por duhet që të rriten dhe kapacitetet e mjekëve. Italia ka shtuar kapacitetet shumë të testimeve ku bëhen mbi 100 mijë tampone. Një problem ka qenë frekuentimi i lokaleve të natës. Në Lombardi, lokalet duhet të shërbejnë vetëm për personat që janë të ulur, pra lokalet e natës janë kufizuar. Në orën 23:00 duhet të mbyllen" - tha mjeku.