Isuf Balliu i ka ende të ngulitura historitë njerëzore që kërkonin ndihmë 2 vite më parë.
“Kam pasur një vajzë që në momentin që po e vizitoja ra tërmeti tjetër dhe më erdhi shumë keq për situatën që kaloi. U qetësua. Dëmtimet dominonin. Me panik më pak”, thotë ai.
Mjeku në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, rrëfen për Report Tv përjetimet e tërmetit të 26 nëntorit.
“Ditët ecin dhe u mbushën 2 vjet. Kujtimi i asaj nate është i njëjtë. Është vështirë të harrohet. Është një gjë që s’e kishim kaluar ndonjëherë. Shumë shpejt erdhën raste nga më të ndryshmet. U bë një rrëmujë, pavarësisht se kërkova që të përforcohet shërbimi. Kanë ardhur të gjithë çfarë ishte shërbim urgjence. Ato që ishin për Tiranë, i çuam në Tiranë. Është diçka që nuk harrohet. Kryesisht ishin me dëmtim, gjakosur nga rrëzimet. Disa kishin thyerje të gjymtyrëve”, thotë mjeku Isuf Balliu.
E çuditshme, por si shumë shqiptarë të tjerë, çdo lëkundje, sado e vogël, i risjell në kujtesë tragjedinë, dhe frikën nga ndonjë tërmet si ai që askush nuk do donte të përjetontë për së dyti,
“Sot 2 vjet kur dalim në një vend dhe ka tundje kujtojmë tërmetin e 26 nëntorit. Një tërmet që nuk e kisha përjetuar ndonjëherë. Kemi kaluar tërmete sa të duash, por ky ishte një që s’e kishim kaluar ndonjëherë. Ishte një situatë e jashtëzakonshme. Na vjen keq për jetët e humbura” , përfundon ai.