TIRANË- Genc Kapxhiu, mjek në spitalin San Donato në Arezzo, Itali, në një komunikim me Skype për Report Tv, shprehet se rihapja e vendit si në Itali ashtu dhe në Shqipëri, duhet të bëhet ngadalë dhe me mjaft kujdes, pasi deri në gjetjen e një vaksine jemi të rrezikuar nga infektimi.
Duke folur për situatën e Covid-19 në Itali, Kapxhiu thotë se ky virus ka qenë mjaft fatal edhe për të moshuar që jetojnë në azile, ku vetëm dje në zonën ku ai punon kanë ndërruar jetë 10 persona në një ambient ku jetonin 60-të.
“Edhe sot jemi në orar pune. Gjithmonë jemi në orar pune dhe në gatishmëri. Bëjmë edhe transferime të shpejta të pacientëve nga një spital në tjetrin. Jemi gati rreth 200 mijë pozitiv, rreth 26 mijë të vdekur dhe 67 mijë të shëruar. Po rritet numri i tamponëve. Po të bëjmë një hap mbrapa më 31 janar ministria nxori dekretin dhe deklaroi pandeminë për gjashtë muaj që i bie deri më 31 korrik. Kjo do të thotë që ne duam çdo ditë të izolojmë pacientët që nuk kanë shenja klinike, pasi ato janë të rrezikshëm për përhapjen e sëmundjes. Në momentet që pacienti është pa simptoma ne bëjmë diagnozën e shpejtë. Gjëja më kryesore është që të gjithë pacientët jashtë duhet të kenë patjetër maskë, doreza dhe xhel desifektues. Faza e dytë është një fazë shumë e ndërlikuar. Duhet me pas jashtëzakonisht kujdes në këtë fazë. Varet edhe nga ndërgjegjja jonë. Është një virus që nuk kërkon leje. Kjo pandemi na mësoi se ky virus prek çdo lloj moshe, por që është fatal për moshat e vjetra, që kanë sëmundje të tjera dhe imunitet të dobët. Fatal ka qenë edhe për personat e moshuar që jetojnë në azile. Vetëm në zonën tonë kemi pasur 10 të vdekur me të njëjtën strukturë. Të dhjetë jetonin në një strukturë me 60 persona. I kemi vendos në izolim që të gjithë. Gjëja e parë që konstatojmë është se hapja duhet të jetë graduale, pasi virusi do muaj nëse nuk gjejmë vaksinë. Deri sot të gjitha protokollet nuk kanë funksionuar ose kanë dhënë rezultate të pjesshme pasi rikthimi i pandemisë do të jetë akoma më i fortë. Jam shumë dakord që të shtohet karantina dhe hapja duhet të jetë e kujdesshme. Është shpejt të flasim për vaksinë por duhet të presim. Vaksinat duhet të testohen pasi mund të japin edhe efekte negative”, tha mjeku shqiptar në Itali, Genc Kapxhiu.