Mjeku shqiptar në Zvicër që shkroi historinë, kampion Evrope në karate! Alvin Karaqi: Qava kur dëgjova himnin, stërvitem në 5 të mëngjesit

28 Qershor 2023, 13:06| Përditesimi: 28 Qershor 2023, 16:53

  • Share

Alvin Karaqi shkroi historinë dhe mori medaljen e parë të artë për Shqipërinë në Kampionatin Evropian të karatesë që u zhvillua në Poloni. Në disiplinën e karatesë kumite deri në 84 kilogramë, sportisti kuqezi bëri që të dëgjohet himni shqiptar. Karaqi ia doli të lërë pas katër medalistë, duke triumfuar me më të mirët e kësaj disipline në Evropë. Në finalen e ngjarjes kontinentale, Alvin Karaqi mposhti holandezin Brian Timmermans, duke fituar me rezultatin 3:2.

Në një bisedë për gazetarin Andi Kapxhiu në emisonin "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv, 30-vjeçari tregon sakrificat për këtë sport. Me banim në Zvicër dhe mjek në profesion, historia e Karaqit është interesate, pasi la Kosovën dhe më pas kaloi te Shqipëria duke mos hequr dorë nga pasioni, që në fund iu shpërblye me një medalje të artë, duke bërë që të ngrihet flamuri shqiptar.

"Në këtë event ishin tetë më të mirët në Evropë dhe kualifikimi ishte i vështirë. Kisha përballë shtatë më të mirët në Evropë dhe mposhta gjithë podiumin e Lojërave të fundit Evropiane. I munda të gjithë dhe ishte një emocion i veçantë. Fitorja e finales më rriti emocionet sepse dëgjova himnin. Vetëm pjesëmarrja këtu më bën nga më të mirët në Evropë, me disa prej tyre isha ndeshur. Fehmi Mëhalla, trajneri më ka rritur shumë. Ai vetë është kampion për Zvicrën në 2005", tha Karaqi.

Sportisti më pas u ndal edhe te hapat e parë në sportin e karatesë, teksa gjithçka ka nisur në klubin e Prishtinës.

"Fillimet në këtë sport? E kam nisur në vitin 2000 në Prishtinë, jam ende pjesëmarrës në gara aty. Në vitin 2013, ish-presidenti Bujar Nishani na dha nënshtetësinë shqiptare dhe prej asaj kohe kalova te Shqipëria. Në 2014 isha nënkampion Evrope për Shqipërinë. Më pas kalova me marrëveshje te Kosova, aty shkoi si shkoi dhe më pas në 2020 u riktheva te Shqipëria. Jam i lumtur që jam me ngjyrat kuqezi, mbajta flamurin shqiptar në hapjen solemne. Ndjenjë e veçantë për mua edhe dëgjimi i himnit. Të paktën në familje janë krenarë për mua", vijoi kampioni.

Karaqi foli edhe për objektivat e radhës, që janë Kampinati Ballkanik dhe Botërori.

"Karateja dhe pasioni? Duket punë, disiplinë dhe shumë dashuri. Duhet edhe shëndeti. Sporti si disiplinë vjen nga Japonia, me djerësë dhe punë edhe jo vetëm talent ia del. Duhet përkushtim i madh. Objektivi? Kampionati Ballkanik në shtator do jetë në Tiranë, aty dua të fitoj një medalje. Në Budapest është kampionati Botëror në tetor. Në Olimpiadën Paris 2024 nuk do jem sepse karateja për shkaqe politike nuk do jetë si disiplinë", vijoi 30-vjeçari.

Karaqi tregoi edhe përditshmërinë, duke thënë se stërvitet në 5 të mëngjesit.

"Përditshmëria e Alvinit? Jam specializant i mjekësisë traumalogjike, jam në vitin e katërt. Dita fillon në 5 të mëngjesit me stërvitje, më pas tetë orë punë dhe më pas sërish stërvitje. Mjaftojnë 24 orë për t'i arritur të gjitha", tha Karaqi për Report Tv.

Sportisti Karaqi në Lojërat Evropiane fillimisht mposhti kroatin Enes Garibovic me rezultatin 2:0. Më pas humbi 5:3 nga polaku Michal Babos. Në garën e tretë dhe vendimtare fitoi 1:0 ndaj grekut Konstantinos Mastrogiannis. Me gjashtë pikë, përkatësisht me dy fitore e një humbje, në gjysmëfinale u kualifikuan polaku Babos dhe Karaqi. Në gjysmëfinale, Karaqi kishte përballë italianin Michele Martina dhe ndaj tij fitoi 3:2 për të mundur në finale holandezin Brian Timmermans.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?