Në ditën e dytë radhazi të protestës, Gentian Stroni ka folur në emër të mjekëve duke nënvizuar dhe një herë sipas tij mënyrën abuzive se si janë lënë në burg dy mjekët pasi dyshohen se kanë marrë ryshfet familjes së Elmidin Dylit, 17-vjeçarit që mbeti i plagosur në maskrën e Velipojës.
Stroni është shprehur se asnjë prej kritereve që një i akuzuar të mbetet në burg nuk plotësohet por këto vendime merren sepse drejtësia është në presion.
"Në nenin 228 janë 3 pika, e para të ketë rrezikshmëri sociale. Pika e dytë të prishë provat dhe pika e tretë të largohet nga vendi. Këta mjekë asnjërën prej këtyre kritereve për tu mbajtur në burg nuk e plotësojnë. Mbajtja e tyre në 'arrest me burg' është bërë pa prova dhe thjesht në dyshime. Pra, deri sa të marrë vendime Kjo drejtësi është duke shkelur të drejtat e qytetarëve. Ndoshta edhe për shkak të presionit që kanë mbi drejtësinë. Ne dalim vetëm për të qenë solidarë me atë kolegë deri në momentin kur vërteton provat. Sindikata e dënon aktin e mitmarrjes por deri në momentin kur do të ndodhë kjo gjë nuk mund dhe nuk duhet që këta persona të qëndrojnë në burg. Për momentin po qëndrojnë pa shkak në burg", tha mjeku Stroni teksa nënvizoi se vendimi është marrë vetëm mbështetur tek një prove të takimit të familjarit me mjekun.
Sa i përket një deklaratë të mbajtur dje nga mjeku Myftar Torba që justifikoi 'bakshishet', Stroni distancohet në emër të të gjithë mjekëve.
"Ne dje kemi lexuar një deklaratë të sindikatës që kemi qenë të gjithë dakord. Pas kësaj dhënia e mendimeve individuale të secilit prej nesh, apo fantazitë e ndryshme, kjo nuk është pjesë e mendimit të të gjithëve. Ju ftoj ta ripostoni këtë lloj deklarate me qëllim që të mos ketë keqinformim të publikut", tha ai.
Lajmi kryesor:
Arrestimi i kolegëve për ryshfet, mjekët në ditën e dytë të protestës! Stroni: Drejtësia në presion e merr vendime abuzive, distancohemi nga aktet korruptive
K.T.//ReportTv.al