Mjeku thirrje qytetarëve: E keqja po kalon, por duhet të tregohemi të kujdesshëm (VIDEO)

22 Maj 2020, 21:31| Përditesimi: 22 Maj 2020, 21:46

  • Share

Krenar Lilaj, një prej mjekëve në vijën e parë të përballjes me koronavirusin, bën thirrje për respektimin të masave. Lilaj thotë se nuk duhet të harrojmë ditët e fillim marsit dhe të tregohemi të kujdesshëm që ato të mos përsëriten, pasi vetëm kështu mund të rikthehemi në normalitet të plotë.

Ai shprehet se falë sakrificës të gjithë stafeve mjekësore, mbështetjes së qeverisë dhe qytetarisë që treguan të gjithë e keqja po kalon.

“Vetëm pak muaj më parë na u desh të përballeshim me një nga periudhat më të vështira të gjithsecilit. Jeta shoqërore ngriu, ekonomia u paralizua, ndërsa ne mjekët duhet të luftonim me një sëmundje të panjohur, që në botë po merrte shumë jetë njerëzish. Në sajë të ndihmesës jo vetëm të mjekëve, por edhe të gjithë stafit mjekësor, mjaft pacientë u shëruan. Me keqardhje mund të them se pati edhe humbje, por na u desh të luftonim me një sëmundje, që në disa raste ishte mjaft e vështirë për t’u trajtuar. Megjithatë, falë dhe sakrificës jo vetëm të mjekëve por të gjithë stafeve mjekësore, mbështetjes së qeverisë dhe qytetarisë që treguan të gjithë, duket se e keqja po kalon. Tashmë dalëngadalë po i rikthehemi normalitetit. Njerëzit po i kthehen punës për të dhënë gjithë secili kontributin e tyre shoqëror. Megjithatë të mos harrojmë ditët e fillim marsit. Ende duhet të tregohemi të kujdesshëm që vështirësitë e kësaj epidemie të mos përsëriten. Ajo po mundet, por ende nuk është asgjësuar. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë rregullat e distancimit fizik dhe higjienës. Vetëm kështu do të mund t’i rikthehemi normalitetit të plotë”, thotë Lilaj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?