Në një prononcim për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta, avokati i ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela thotë se klienti i tij është i pafajshëm dhe gjatë qëndrimit në detyrën e kryepolicit ka bërë mjaft referime në prokurori për Taulant Haxhirajnt, një trafikant të akuzuar ashtu sikundër dhe vëllezërit Habilaj. Gentian Rumano tha se këto qëndrime janë të faktuara me shkresa zyrtare referimesh nga Policia e Vlorës në Prokurori. Sa i përket përgjimeve të Taulant Haxhiraj se vëllai i tij ka qenë duke drekuar me drejtorin e Policisë, avokati tha se nuk ka asnjë provë që të ketë qenë Jaeld Çela ndërkohë që akuzon se prokuroria nuk e ka pyetur asnjëherë Haxhirajn nëse njihet me ish-kryepolicin e Vlorës.
"Ka qenë puna e palodhshme e këtij drejtori në luftën kundër narkotikëve. Në më shumë se 5 shkresa janë emrat e Habilajve që Jaeld Cela i ka referuar në Prokurorinë e Vlorës. Në prokurorinë për Krime të Rënda ka referuar materiale kundër Taulant Haxhiraj. Nuk mundet kjo drejtësi të dënojë një person nga biseda e dy trafikantëve që e ka vëllain në tavolinë me drejtorin e Policisë. E kanë pasur 3 muaj më parë këtë përgjim, dhe nuk e kanë pyetur asnjë ditë Taulant Haxhirajn se kush ishte drejtori dhe çfarë lidhje kishte me drejtorin. Mjerë kush merret me proceset gjyqësore që të ketë procese dhe dënime pa prova", tha Rumano.
Sa i përket seancës dhe faktit që Gjykata sot do të japë vendimin e rëndësishëm, avokati tha se Jaeld Çela mund të jetë duke e ndjekur live nga media gjithçka po ndodh por tha se nuk e di nëse ai ndodhet në Shqipëri apo jashtë saj.
"Mendoj se është duke e ndjekur live situatën", tha ai,
Qëndrimi i tij është i qartë: Kërkon pafajësi për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës.
"Çuditësisht edhe sot pasi u paraqitën konkluzionet dhe i kërkuam prokurorisë që në 3 nga 4 episodet e para të trafikut të drogës, Jaeld Cela nuk ka qenë fare drejtor i policisë së Vlorës. Një episod në vitin 2013, dy episode 1 në 201-ën dhe episodi kryesor 9.5.2015, kur Jaeld Cela ka qenë në detyrë. Për tre episodet e tjera nuk ka qenë fare drejtor, dhe i faturohen edhe këto fakte penale", tha ai.
Sa i përket dy komunikimeve telefonike me Florian Habilajn, vëllain e Mojsi Habilajt, avokati sqaroi:
"Janë telefonata dhe mesazhe të paprovuara nga ana e prokurorisë mbi përmbajtjen. Në vitin 2014 e mbrapa është lançuar fushata nga Ministria e Brendshme që gjithë drejtuesit të kishin numrat e telefonave në ambientet e drejtorisë. Edhe Florian Habilaj mund ta ketë marrë numrin të afishuar pranë drejtorisë dhe ta ketë marrë. Telefonata ka zgjatur vetëm 37 sekonda për të cilën prokuroria nuk ka asnjë përmbajtje dhe e reklamon si provë kundër Jaeld Çelës".
Lajmi kryesor:
Bien akuzat për trafik droge e grup kriminal! Gjykata dënon Tahirin vetëm për shpërdorim detyre: 3 vite në provë
G.M./ReportTv.al