Artur Xhediku është mjeshtri dibran i frutikulturës. Stina e pranverës e gjen në kulmin e punës, duke shartuar e krasitur drurët frutorë.
50-vjeçari nga Sohodolli i Dibrës ka punuar për kohë të gjatë në Greqi me pemëtarinë ndërsa tashmë që është kthyer në vendlindje, krasit e sharton pemët jo vetëm në Dibër por dhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Tregon për Report TV se këtë zanat e ka marrë nga babai i tij që në moshë të vogël.
“Unë kam pasur babën specialist të pemëve që në kohën e monizmit, për fat të keq sot nuk jeton. Unë e kam mësuar që fëmijë këtë profesion dhe njerëzit akoma më identifikojnë djali i Canit se ai ka qenë specialist i pemëve”, tregon Artur Xhediku.
Ndodhemi në Dibrën e Madhe të Maqedonisë së Veriut në pemëtoren e Joni Fides me profesion arkitekt, ku Arturi po kryen shartimin e gështenjave dhe arrave. Edhe pse nuk është agronom në profesion, na shpjegon me detaje procedurën e shartimit.
“Sot do bëjmë shartimin e gështenjës me çarje dhe në lëkurë për ta parë dhe ata që janë të apasionuar pas shartimit. E çajme rreth 10 cm pemën, ndërkohë kalemat që i kemi zgjedh nga pemët më të mira, i mprehim. Kësaj peme do i vendosim tre kalema, dy me çarje dhe një me ngjitje në lëkure. Për ta izoluar ka mënyra të ndryshme, unë përdor këtë argjilin. E kam marrë edhe ne Itali”, shpjegon 50-vjeçari nga Sohodolli i Dibrës.
Në një kohë kur specialistët e bujqësisë mungojnë, Arturi nuk ngurron që teknikat e tij t’i ndajë me ndjekësit e shumtë në rrjetet sociale me qëllim shtimin e njerëzve që duan të mësojnë kryerjen e shartimit.
“Gjatë gjithë muajt prill nëse i kemi kalemat e ruajtur, mund të shartohen por duhet të mos çelin. Unë më shumë merrem me shartimin e arrës në Shqipëri sepse specialistët janë shumë të rrallë, pothuajse s’ka fare dhe arra është pema që zë më me zor”, shprehet Artur Xhediku për Report TV.
Qarku i Dibrës për pozicionin gjeografik dhe klimën është një ndër zonat më të njohura për kultivimin e mollëve, dardhave, qershive, kumbullave dhe arrorëve. Sipas drejtorisë së Bujqësisë fermerët kanë rritur sipërfaqen e e mbjellë dhe sot numërohen 1260 hektarë pemëtore me mbi 900 mijë rrënjë.
Komente
