Major League Soccer (MLS) ka zyrtarizuar pezullimin e Lionel Messit dhe Jordi Albës për ndeshjen e ardhshme të Inter Miamit, si ndëshkim për mungesën e tyre në sfidën All-Star të zhvilluar të mërkurën. Të dy lojtarët, sipas rregullores së ligës, ndëshkohen automatikisht me përjashtim nga ndeshja pasardhëse zyrtare e kampionatit.
Ky vendim ka ngjallur reagime të forta nga klubi i Inter Miami, me pronarin kryesor Jorge Mas që e cilësoi sanksionin “të pakuptimtë dhe të padrejtë”. Në një prononcim për mediat, të cituara nga “MARCA”, Mas theksoi: “Ky sanksion është i bazuar në një rregull ekzistues, por është i padrejtë dhe një ndëshkim i tepruar. Lojtarët detyrohen të zgjedhin mes një miqësoreje, një eventi All-Star dhe një ndeshjeje zyrtare. Kjo nuk ka kuptim.”
Lionel Messi ndodhet në mes të negociatave për rinovimin e kontratës me Inter Miami, e cila skadon në dhjetor 2025. Pronari Mas konfirmoi se lojtari është i zhgënjyer me vendimin: “Reagimi i Leos ishte siç pritej, aspak pozitiv. Ai dëshiron të luajë ndeshjen e nesërme. Shpresoj që ky sanksion të mos ketë pasoja afatgjata, por për momentin zhgënjimi është i madh.”
Mas gjithashtu bëri thirrje për ndryshim të rregullores, duke theksuar rëndësinë që Messi ka për ligën.
“Shpresoj që kjo ngjarje të detyrojë komisionin e MLS-së të rishikojë rregullin. MLS-ja ishte një para se të vinte Leo dhe është një tjetër tani. Askush nuk e kujton rezultatin e All-Star vitin e kaluar. Është një miqësore dhe ndoshta duhet luajtur në një periudhë tjetër të vitit”, tha Jorge Mas.
Komente
