‘Modern në shkencë dhe në kulmin e tradicionalizmit’! Lamtumirë gjuhëtarit Bahri Beci! Nga penalizmi në diktaturë te bisedat e fundit, kolegët: ‘Brengat’ e tij për shqipen

22 Gusht 2023, 15:44| Përditesimi: 22 Gusht 2023, 16:04

  • Share

Gjuhëtarit Bahri Beci iu dha lamtumira e fundit në Akademinë e Shkencave. Miq, kolegë e familjarë nderuan akademikun dhe sollën në vëmendje kontributin e tij shkencor e human, si dhe shqetësimet që kishte lidhur me gjuhën shqipe.

Në shtëpinë e tij të shkencës, u mbajtën sot homazhet për gjuhëtarin Bahri Beci.

“Humbëm njeriun e mirë, një mik, një burrë të ndershëm, të ndritur,  ishte vërtetë model, në shoqëri, familje dhe në shkencë!”, thotë studiuesi Ardian Marashi, ish-drejtor i Qendrës së Studimeve Albanoklogjike (sot ASA).

Një vargan i gjatë njerëzish mbush sallën ‘Aleks Buda’ të Akademisë së Shkencave me mirënjohje e nderime, për veprën shkencore e humane të akademikut.

“Bahriu ka qenë një studiues vërtetë i apasionuar pas gjuhësisë”, shprehet kolegu dhe miku i tij, Seit Mansaku, gjuhëtar dhe akademik.

Studiues, studentë të albanologut, politikanë e njerëz të thjeshtë, shkodranët e tij, ngushëllojnë familjen Beci. Disa e lënë shënimin e tyre në këtë bllok.

Albanologu Bahri Beci u nda nga jeta këtë të diel në moshën 87-vjeçare, duke lënë pas dhjetëra vepra monografike e studimore mbi gjuhën të shtrira në 60 vjet studime. Ai ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë.

“Ai pati dhe guximin e vullnetin që në një moshë pak më të thyer të bënte dhe një rivështrim kritik të rrugëve që kishte kaluar shkenca në ato 50-vjet”, shprehet albanologu dhe akademiku Rexhep Ismajli.

Veçmas puna me dialektologjinë, e forcoi figurën e tij si përbashkuese në trojet shqiptare.

“Ka qenë nga ata dialektolog që i ka shkelur me këmbë zonat e ndryshme dialektore të vendit”, shton më tej ak. Mansaku duke theksuar edhe punën e tij me fonetikën, gramatikën dhe shqipen historike e bashkëkohore.

Një nga personalitetet absolute të shkencës së gjuhësisë, i specializuar në Paris, Beci ishte edhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit, ngjarje të cilën e shikonte si domosdoshmëri, por me vendime që mund të përmirësoheshin.

“Mendonte se duhej pasuruar më tej, duhej zgjeruar më tej dhe duheshin shpjegime të qarta lidhur me bëzën dialektore të gjuhës standarte”, tregon më tej ak. Mansaku.

Kolegët rrëfejnë se lidhur me fatin e shqipes, ka pasur edhe të tjera shqetësime.

“Bisedat e fundit lidhen me Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, i cili ishte funksional në një periudhë dhe në momentin kur u lotësuan shumë gjëra Këshilli i dha fund veprimtarisë së vet. Ose më mirë ekziston por pa punë”, shton Marashi.

Ndonëse punoi me figurat më të larta të gjuhësisë si Eqerem Çabej dhe Mahir Domi, për gjuhëtarin Beci, gjatë diktaturës, nuk munguan as penalizimet. 

Puna e tij në Institutin e gjuhësisë u ndërpre për një periudhë duke e larguar në Shkodër si mësues të thjeshtë. Në rikthim u zgjodh si sekretar shkencor.

“Në shkencë madje, në kulmin e tradicionalizmit ai diti të tregohet modern, në kuptimin e plotë të fjalës”, shprehet Marashi, duke theksuar se prodhimtaria e tij shkencore ka qenë shumë më e lartë pas ndryshimit të sistemeve.

Një kontribut të çmuar albanologu ka edhe në hartimin e teksteve shkollore të gjuhësisë.

“Ai ishte mjeshtër i gjuhës! Kemi punuar mbi një dekadë me tekstet shkollore, veçmas me abetaren. Tekstet e tij do të shërbëjnë si një referencë shumë e rëndësishme”, thotë botuesja Anila Bisha.

Veprat e lëna pas të akademikut Beci, do t’u shërbejnë brezave për të çuar më tej studimet mbi shqipen.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?