Modric dhe Benzema i japin Realit trofenë e parë sezonal

16 Janar 2022, 22:42| Përditesimi: 16 Janar 2022, 22:44

  • Share

Reali i Madridit fiton për herë të 12-të në histori Superkupën e Spanjës. “Los Blancos” triumfuan 2-0 ndaj Athletic Bilbaos në finale e zhvilluar në “King Abdullah Sports City” në kryeqytetin e Arabisë Saudite, (Jeddah), në një sfidë të dominuar nga skuadra e drejtuar nga Ancelotti, por që mund të rihapej në fund, nëse veterani Raul Garcia do të shndërronte në gol një 11-metërsh të vërshëllyer pas prekjes së topit me dorë nga Militao 3 minuta para fundit të kohës së rregullt (braziliani u ndëshkua me karton të kuq).

“Los Blancos” e zhbllokuan ndeshjen në minutën e 38-të dhe për ta dërguar topin në rrjetë mendoi Luka Modric, me një goditje të bukur, që ishte e pakapshme për portierin Simon.

Reali ishte i qartë në lojën e tij dhe në të 52-tën dyfishoi epërsinë me Benzemanë, që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë (penalltia u akordua nga sistemi VAR për prekje të topit më dorë nga Yeray Alvarez).

Një shpërqendrim në minutat e fundit për pak e rrezikoi fitoren e “Los Blancos”, por Courtois mori përsipër të bënte heroin, duke pritur me këmbë goditjen e Raul Garcias nga 11 metra largësi. Edhe pse në inferioritet numerik, Reali ia doli të mbrohej mirë në minutat shtesë, duke e merituar plotësisht trofenë e parë sezonal.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?