FINLANDË- Shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini ka vënë theksin tek çelja e bisedimeve të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor të këtij viti. Gjatë takimit informal të ministrave të Punëve të Jashtme, që po zhvillohet në Helsinki të Finlandës, Mogheriniu shpreh se BE duhet të ketë qasje të qëndrueshme sa i përket çeljes së negociatave, me vendet e Balkanit Perëndimor, specifikisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
"Vendet anëtare treguan një vetëdije dhe vendosmëri edhe më e fortë për nevojën për të qenë konsistent në hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit", mësohet të ketë thënë Mogherini.
Ndërkohë nga ana tjetër, i këtij mendimi ka qenë edhe ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas i cili tha se BE duhet të tregojë një interes më të madh për vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Unë mendoj se BE duhet të ketë një interes për këtë rajon," tha Heiko Maas në Helsinki, duke shtuar se kjo është një formë për të parandaluar shtetet e tjera që nuk pajtohen me vlerat e BE-së që të ndikojnë në këtë rajon. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto.
“Për mendimin tim, kishte më tepër pritshmëri pozitive për faktin që në një moment të caktuar të nisnim bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Haavisto në një konferencë për shtyp pas bisedimeve.