Kultura

‘Mokra n’fest’, Pogradeci promovon kulaçin e dollitë e Selcës, vizitohet nga qindra turistë të huaj e vendas

25 Shtator 2021, 15:34| Përditesimi: 25 Shtator 2021, 15:37

  • Share

‘Mokra N’fest’ rikthen për të dytin vit radhazi festën tradicionale të kulinarisë dhe mikpritjes në krahinën e mbretërve ilirë, në Selcën e poshtme në Pogradec. Me këngë, instrumente e valle të zonës, festa e sofrës mokrare dhe tradita e gatimit të kulaçit bëri bashkë artistë, banorë  dhe turistë vendas e të huaj, të cilët ngritën dollinë me 101 shëndete.

Për banorët mokrarë dhe të ftuarit ky event është edhe një mundësi  për t’u njohur me historinë  e kulturën, si 5 varret monumentale që datojnë mbi 400 vjet para Krishtit .

“E dua Shqipërinë dhe është hera ime e parë që vij këtu. Është bukur këtu dhe do e rekomandoj dhe tek miqtë e mi kur të kthehem në shtëpi”, tha një turist i huaj.

“Kësaj kemi ardhur për të ekspozuar ushqimet tona. Ne kemi bërë përsheshin me pulë, djathin e zonës dhe të gjithë produktet e mishit i disponojmë”, shprehet një zonjë.

“Është një vend përrallor, një vend me një histori e traditë të vjetër”, tha një tjetër

“Ç’të të them, krenarë për të gjitha ato monumente të ilirëve dhe gjynah që nuk ka një infrastrukturë të mirë”, shprehet një turist vendas.

Organizuar nga Bashkia Pogradec risi e këtij viti ishte dhe sporti elitar i hipizmit apo adrenalina e hedhjes me parashutë .

“Kjo festë shërben për të promovuar vlerat historike që ka kjo zonë dhe vlerat patriotike e kulturore, dhe veç kësaj i duhen dhe investime të tjera”, tha kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli.

Mokra, njihet dhe si kryeqendra e parë ilire ku fshihen varret e mbretërve të qytetërimit të lashtë ilir. Kjo festë synon ta shndërrojë këtë krahinë në një atraksion të përhershëm turistik.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?