Partizani dhe Astana barazuan 1-1 në "Elbasan Arena", në ndeshjen e kthimit për fazën play-off të Conference League. Kampionët e Shqipërisë u eliminuan nga Evropa, pasi kazakët kishin fituar një javë më parë në shtëpi 1-0 dhe marrin një biletë për në grupet e këtij kompeticioni.
Në komunikimin për mediet pas ndeshjes, trajneri i Partizanit, Zoran Zekic e ka me arbitrin turk të ndeshjes. Sipas tij në pjesën e dytë të tijve nuk iu akordua një 11 metërsh, në rastin e rrëzimit të Arinaldo Rrapaj në zonë. Kroati pyet se përse nuk u përdor teknologjia VAR, ndërsa shton se në dhomat e zhveshjes ka vetëm fytyra të zhgënjyera.
"Sigurisht që jemi të trishtuar. Edhe po t’i shohësh djemtë në dhomën e zhveshjes, janë të zhgënjyer. Por jam i kënaqur me lojën. Treguam karakter, megjithëse bëmë disa gabime taktike. Është një katastrofë për ne. I druhesha shpërqendrimit. Folëm pas pjesës së parë që të bëjmë të njëjtën lojë. Që në fillim të pjesës së parë, gabuam. Megjithatë besuam deri në fund. Nuk dua të flas për arbitrat, por sot vendimet e tij ishin të çuditshme. Na ndëshkoi pas pesë minutash me karton të verdhë. Për mua rasti i Rrapajt ishte 100 % penallti. Nuk e di pse nuk shkoi ta shihte në VAR", tha Zekic.