Valutat vijojnë të jenë të pafuqishme përballë lekut. Euro sot po u blihet qytetarëve për 98 lekë dhe shitet me 99 lekë, shifrat më të ulëta historike, trend rënës që mesa duket nuk do të ndalojë këtu.
“Nuk është më një euro e zhvlerësuar, por një normalitet i ri”, thotë eksperti i ekonomisë Igli Tola në Report TV.
Faktorët e këtij zhvlerësimi thotë eksperti i ekonomisë Igli Tola janë të shumta, por kryesor është turizmi që po shton valutën në treg, por edhe paraja informale që nuk matet nga institucionet.
“Janë një sërë faktorësh. Janë faktorë sa ekonomik por edhe flukset informale, parasë kriminale. Por edhe sezoni turistik që po zgjatet shumë, nuk është më vetëm sezon që mbyllet në gusht por po zgjat. Remitancat po rriten vit pas viti, investimet që po shtohen më së shumti në ndërtim. Sektori i ndërtimit është më i zhvilluar në vend, dhe investimet janë të fiksuar në këtë sektor, pasi shihet si mundësi për të pasur një pronë në vend dhe për ta zhvilluar”, tha eksperti.
Zhvlerësimi i euros ka shumë humbës por vetëm një fitues sipas ekspertit.
“Fituesi i vetëm në këtë situatë mund të themi është buxheti i shtetit, pasi kemi një zhvlerësim të stokut të huasë, dhe shumë borxh ne e kemi në euro. Këstet e huasë që paguhet janë më të ulta. Ndërsa qytetarët po humbasin, sepse humbjet nga kursi bizneset po i reflektojnë në çmime më të larta”, tha Tola.
Rënia e euros ka goditur eksportuesit, ata që i kanë të ardhurat në euro por edhe familjet që varen nga dërgesat e emigrantëve pasi ka zhvlerësuar remitancat.
Monedha evropiane është zhvlerësuar me afro 24% krahasuar me vitin 2021, kohë kur kushtonte 123-124 lekë, në raport me vitin 2022 kur arriti deri në 127 lekë direkt pas nisjes së luftës në Ukrainë, kurse krahasuar me vjet, një euro është zhvlerësuar me 3-4%.