Monopatinat elektrike po kthehen gjithnjë e më shumë në burim kryesor për aksidente rrugore, ku rasti më i fundit ishte ai kur 3 të miturit u përplasën nga një makinë në Tiranë.
Eksperti Rrugor Arben Luzi, i ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv ai tha se këto mjete janë të rrezikshme dhe s’duhet që të përdoren nga fëmijët.
Ai theksoi edhe mungesën e edukimit në shkolla për ti mësuar të rinjve rregullat e qarkullimit rrugor.
‘Kur drejtohen nga fëmijë është me rrezik sepse mund të bëjnë veprime të gabuara. Duke marr moshën e tyre që janë të rinjtë nuk mund të pajisen me mjete drejtimi, ato mjete kanë një shpejtësi të madhe dhe s’janë mjete që mund të lëvizin nëpër rrugë dhe 2 veta në ato mjete. Këtë e gjen masive në rrugët e Tiranës. Të miturit janë të papërgjegjshëm, edhe niveli edukativ në shkolla mungon sepse duhet që të fillojë nga faza parashkollore për të pasur njohuritë e nevojshme për të qarkulluar në rrugë. Ka pasur edhe aksidente kur monopatinat kanë goditur edhe këmbësorë. Ata kalojnë edhe në vendkalimet e këmbësorëve. Nuk mund të lejohen fëmijët 9 ose 10 vjeç që të përdorin monopatina’, tha ai.
Eksperti tha se përdoruesit e tyre qarkullojnë në kundravajtje, pasi nuk njohin asnjë rregull për drejtimin e këtij mjeti.
‘Qarkullojnë në kundravajtje që duhet që të ndëshkohen nga policia. Nuk njohin asnjë rregull për drejtimin e këtij mjeti, janë të papërgaditur. Si rasti i 3 fëmijëve të mitur që u aksidentuan, unë them se rastet do të shtohen dhe kjo frenohet duke u ndërgjegjësuar njëherë familjarët që të mos i dhurojnë fëmijës një monopatinë. Ato kapin edhe 100 km për orë, pra është një mjet i fuqishëm. Duhet që të vendosen gjoba nga policia, duhet që të ndëshkohen, janë mjete të rrezikshme, janë shumë problematike’, tha ai.
Gazetari Sokol Dema, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të aksidenteve rrugore të shkaktuara nga monopatinat dhe motoçikletat.
‘Rastet e aksidenteve janë shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Nga policia rrugore thuhet se 7 për qind e aksidenteve bëhen nga monopatinat dhe motoçikletat. Asnjë nga përdoruesit nuk kanë të vendosur kasë mbrojtëse. Në vëzhgimin që kemi bërë sot, është parë që asnjë nuk përdor kasën mbrojtëse teksa përdor monopatinat. Unë mendoj se nuk është zgjedhje që të hiqen si i kanë hequr disa vende, por të rregullohet legjislacioni. Instucionet duhet të ndërhyjne, aksidentet që po bëhen nga monopatinat janë në rritje’, tha ai.
Komente
