Në “gjykimin vlerësues” më të fundit të saj, publikuar në 07 Prill 2023, Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit të Kredibilitetit (credit rating agency) Moddy’s ri-konfirmon vlerësimin aktual të Shqipërisë, “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”.
Stabiliteti makroekonomik u ruajt gjatë tre goditjeve të mëdha që goditën ekonominë shqiptare në vitet e fundit, konkretisht tërmeti në fund të vitit 2019, pandemia e koronavirusit që e shtyu ekonominë shqiptare në recesion në vitin 2020 dhe kriza evropiane energjetike që filloi në 2022 e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Agjencia vlerëson se ekonomia e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë rezistente në periudhën 2023-2024. Për më tepër, agjencia vlerëson procesin e anëtarësimit në BE si ankora kryesore e jashtme për një zbatim të mëtejshëm gradual të reformave strukturore ekonomike dhe institucionale. Gjithashtu, në periudhën afat-gjatë, aftësia e vendit për të mbështetur procesin e konvergjencës së të ardhurave për banorë me vendet e BE-së do të varet nga suksesi i qeverisë në zbatimin e reformave strukturore dhe rritjen e konkurrencës në raport me vendet e tjera të rajonit.
Ndërsa borxhi i përgjithshëm i qeverisë ndaj GDP-së (përfshirë garancitë) u rrit me pothuajse 9 pikë përqindjeje gjatë viteve 2019-21, duke kulmuar në 74.5% në vitin 2021 (që gjithsesi ishte nën mesataren prej 79.1% të vendeve me vlerësimin të njëjtë B1), raporti i borxhit publik ri-hyri në një trend të fortë zbritës në vitin 2022 dhe u zvogëlua me pothuajse 10 pikë përqindjeje në 64.6%, duke u ulur nën nivelin para-pandemik të vitit 2019. Moody's parashikon që raporti i borxhit publik në Shqipëri të vijojë të ulet. Deri në vitin 2024, Moody's parashikon që raporti i borxhit ndaj GDP-së të Shqipërisë të jetë 61.2%, që do jetë rreth 13.8 pikë përqindjeje më poshtë mesatares së vendeve me vlerësim të njëjtë B1.