Kronikë

Morën 2 mijë euro nga biznesmeni që të mos i arrestonin gruan që shkaktoi aksident, GJKKO lë në burg 2 shefat e Rrugores së Tiranës! Mohojnë akuzat

22 Prill, 15:40| Përditesimi: 22 Prill, 18:34

  • Share

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka caktuar masën arrest me burg për dy shefat e Rrugores së Tiranës, Roven Zeka dhe Sokol Novaku. Të dy oficerët e lartë akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit, ndërsa burime bëjnë me dije se ata kanë mohuar akuzat.

Mësohet se Roven Zeka është shprehur para GJKKO se ai është një oficer karriere në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentet për një masë më të butë sigurie për shkak tѱ rrethanave familjare.

Dy shefat e rrugores kanë deklaruar se ata kanë zbatuar procedurën standarde duke referuar materialet në prokurori për drejtuesen e aksidentit. Ata kane mohuar dijeninë apo përfshirjen e tyre ne veprimet dhe mos veprimet e oficerit Edison Tabaku.  

Në urdhrin e ndalimit të lëshuar nga prokurorja Elida Kackini evidentohej se të 3 punonjësit e policisë janë transferuar në Tiranë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ku kanë shërbyer më parë. Prokuroria e SPAK, Elida Kaçkini kërkoi masën "arrest me burg" për të dy dhe e njëjta masë u konfirmua nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Një ditë më parë është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” edhe për efektivin e Policisë Rrugore, Edison Tabaku.

Të tre efektivët akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni Erges Vrioni, për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill. Arrestimet u bënë më 19 prill, menjëherë pas zbulimit të rastit, teksa Prokuroria ka zbardhur nëpërmjet përgjimeve edhe bisedat dhe aferën korruptive.

Sipas dosjes hetimore të zbardhur nga Report Tv dhe Shqiptarja.com, duke qenë se polici Tabaku e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin. Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të Policise Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të policisë rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.

Nga verifikimi që i është bërë telefonit të Tabakut rezulton se ai ka komunikime me shefat e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, ku i thotë se 1000 eurot e tjera do t’i siguronte më vonë nga Vrioni, të cilin e kishte shok, duke i lënë afat deri të nesërmen. SPAK thotë se ata i morën 2 mije euro nga bashkëshorti biznesmen i një shoferes që kishte shkaktuar aksident me 5 të plagosur.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?