Kronikë

'Do i çoj doktorit dhuratë 500 mijë lekë', biseda e nënës së të plagosurit të masakrës së Velipojës me infermeren çoi në burg 2 mjekët e QSUT! Zbardhet përgjimi

6 Korrik 2021, 13:14| Përditesimi: 6 Korrik 2021, 13:34

  • Share

SHKODËR- “Arrest me burg” ka dhënë gjykata e shkallës së parë në Shkodër për dy mjekët e QSUT-së, Ervin Sulaj dhe Serdi Memini si dhe infermieren nga Shkodra, Diellë Macaj. Ndërkohë për Fatbardh Dylin, babai i të plagosurit nga masakra e Velipojës, Elmidin Dylin, gjykata dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” duke e liruar atë, kjo me kërkesë të prokurorisë së Shkodrës.

Ka qenë bashkëshortja e Fatbardh Dyli, nëna e të plagosurit, ajo e cila ka zhvilluar një bisedë telefonike me infermieren në Shkodër Diellë Macaj duke i thënë asaj se "do t’i çojnë dhuratë 500 mijë lekë të vjetër doktorit", por pa përmendur emrin se cilit prej tyre. Infermierja e ka mbështetur në atë bisedë duke i thënë se “është mirë t’ia dërgosh dhuratën”. Kaq ka mjaftuar që policia e cila kishte në përgjim familjen Dyli pas ngjarjes së rëndë në Velipojë me 27 qershor me katër të vrarë, ku i plagosur është edhe djali i tyre 17 vjeçar Elmidin Dyli për të bërë arrestimin e dy mjekëve kirurg të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, infermieres në Shkodër Diellë Macaj që është një e njohur e familjes Dyli si dhe babait Fatbardh Dyli.

Dy mjekët dhe infermierja janë të dyshuar për veprat penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Mjeku Ervin Sulaj i cili ka qenë i pranishëm në sallë ka mohuar se ka lidhje me marrje ryshfeti duke thënë se ai dhe kolegu i tij janë marrë vetëm me operacionin e të plagosurit Elmidin Dyli. Ndërkohë mjeku tjetër kirurg Serdi Memini nuk ka qenë i pranishëm në sallë për shkak se është i shtruar në spital në Tiranë dhe nuk është në gjendje shëndetësore të mirë ndërsa është përfaqësuar nga avokati i tij. Avokatët mbrojtës të dy mjekëve kërkuan që ndaj të dyshuarve të mos caktohet asnjë masë sigurimi dhe madje të cilësohet i paligjshëm arrestimi i tyre, por gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë duke i lënë me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër rrëzoi gjithashtu edhe kërkesën e prokurorisë që kjo dosje t’i kalojë SPAK për hetim të mëtejshëm.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?