Tirane- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dënoi sot me 3 vite burg oficeren e Policisë Gjyqësore Elbasan, Anila (Dushku) Dusha të cilën e shpalli fatjore për akuzën e “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Dushi mori 1 mijë euro rryshfet një të moshuareje kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Rasti u denoncua në shtator 2024.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri dënoi Anila Dushën me 3 vite burgim. Me pranimin e gjykimit të shkurtuar dënimit i ulet 1/3 e tij, duke e zbritur në 2 vite burg.
Por në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal,u aplikua pezullimi i dënimit, dhe lirimi me 4 vite shërbim prove. Gjithashtu GJKKO ndalon punësimin e saj në funksione publike apo administratë për 5 vitet e ardhshme.
Dusha akuzohet se pasi i mori paratë, i premtoi të moshuarës “zgjidhjen e çështjes”, nëpërmjet ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë. Disa ditë pas kryerjes së pagesës, në adresën e denoncueses shkoi një zarf i prokurorisë ku e njofton se ky organ i ka kërkuar gjykatës të pushojë hetimet, për shkak se vepra penale “ndërtim pa leje” për të cilën akuzohej djali i saj, ishte amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Meqë ndërtimi ishte bërë para datës 31 mars 2024, edhe vepra penale "ndërtim i paligjshëm" ishte amnistuar nga Parlamenti. Pra qytetarja kishte paguar OPGj-së shumën prej 1 mijë eurosh, megjithëse vepra penale ishte amnistuar.
SPAK e dërgoi dosjen drejt GJKKO për proces më 5 Nëntor të këtij viti.
Komente
