Avokati, Petraq Semani

Mori 25 mijë euro për të ndikuar tek gjyqtarët për lehtësimin e një dënimi, GJKKO lë në fuqi arrestin shtëpiak për avokatin Petraq Semani

22 Shkurt, 15:46| Përditesimi: 22 Shkurt, 16:02

  • Share

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën ‘arrest shtëpie’ për avokatin Petraq Semani i cili akuzohet se mori 25 mijë euro ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarët që të lehtësonin dënimin e një prej të arrestuarve për plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen.

Urdhër arresti ndaj Semanit u ekzekutua 2 ditë më parë (20 shkurt). Në vendimin e sotëm të GJKKO gjithashtu është pranuar kërkesa e SPAK për marrjen në pyetje të avokatit.

"Vazhdimin e zbatimit ndaj personit nën hetim Petraq Semani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale, e caktuar me vendimin Nr. 15, datë 18.02.2024 të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”- njofton GJKKO.

Sipas hetimeve të SPAK, Semani akuzohet se ka marrë nga Ll.D dhe S.D shumën prej dhjetëra mijëra eurosh duke u premtuar se do të ndikojë tek gjyqtarët të cilët po shqyrtonin çështjen e Ll.D i cili është i dënuar për plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen.

Mësohet se marrja e ryshfetit është regjistruar me audio dhe video nga vetë personat që ia kanë dhënë avokatit. Sipas Prokurorisë së Posaçme ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se avokati Petraq Semani ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?