Kronikë

Mori kompetencat e Komisionerit Publik, Dumani në KPA, kërkon shkarkimin e prokurorit të Tiranës, Valentin Preçi

21 Janar, 09:31| Përditesimi: 21 Janar, 20:20

  • Share

TIRANË -  Altin Dumani, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin ishte sot (21 janar 2025)  palë në seancen gjyqësore publike të zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm te Apelimit, Apelin e Vetting-ut, për subjektin e rivlerësimit Valentin Preçi, prokuror në prokurorinë e Tiranës. 

Me mbarimin e mandatit të Komisionerëve Publikë më 31 dhjetor 2024, sipas nenit 179/b, pika 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 199, paragrafi i 2-të i Kodit të Procedurës Civile, u bë kalimi procedural i palës “Komisioner Publik”, tek “Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme”.

Në seancën e sotme, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme paraqiti shkaqet e ankimit për të trija kriteret e rivlerësimit, të pasurisë, figurës dhe të aftësive profesionale që lidhen me subjektin e rivlerësimit Valentin Preçi. Dumani i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të konfirmimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Valentin Preçi.

Në maj 2024, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit të prokurorisë së Tiranës, Valentin Preçi. Në dosjen e Komisionerit thuhet se prokurori udhëtoi 10 - 11 herë në SHBA dhe se dy udhëtime i kishte bërë në Mal të Zi dhe Prizren me vëllezërit Frroku 

Fakti që Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të vijojë të jetë palë në procesin e vetting-ut, do të jetë një garanci që procesi do të mbikqyret dhe do të vijojë të zhvillohet në menyrë rigoroze, edhe pse është në fazën përmbyllëse të tij.

Kolegji duhet të përfundojë shqyrtimin e rreth 120 çështjeve të mbetura deri ne qershor të vitit 2026, kur i mbaron edhe mandati kushtetues.

G.K/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?