Çudirat dhe paradokset në drejtësinë shqiptare nuk kanë fund. Tre muaj pasi u shkarkua nga Komisionit i Vetingut, gjyqtarja e Apelit në Tiranë Evjeni Sinojmeri, e njohur ndryshe edhe si gjyqtarja e dosjes së 21 Janarit, mund të shkarkohet për herë të dytë. Në 30 prill 2021, Komisioni i Vetingut i shkallës së parë, me trupë gjykuese të përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Suela Zhegu dhe Brunilda Bekteshi, shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Evjeni Sinojmeri, pasi nuk justifikonte me para të ligjshme një pjesë të pasurisë. Procesi për Evjeni Sinojmerin ishte i pazakontë, pasi gjyqtarja shmangu përballjen me organet e Vetingut gjatë verifikimit, nuk u paraqit në seancë dëgjimore, madje nuk autorizoi as një avokat për ta përfaqësuar. Kështu që trupi gjykues lexoi konkluzionet e hetimit para një karrigeje bosh. Gjyqtarja pretendon se ndodhet në SHBA, pse që në prill të vitit 2020, duhej të paraqitej në punë.
Procesi i Vetingut për Evjeni Sinojmerin nisi që në nëntor të vitit 2018. Në maj 2020, Komisioni i Vetingut i ka kërkuar gjyqtares me e-mail të japë informacion për udhëtimet e saj dhe shpenzimet për këto udhëtime. Gjyqtarja, një javë më pas, ka dërguar këtë përgjigje: “... me gjithë përpjekjet për të përfunduar në kohë dhe me saktësi detyrën e ngarkuar prej Komisionit, e kam të pamundur të kthej përgjigje për shkak se pas përfundimit të një periudhe ndërprerje nga ushtrimi i detyrës me leje nga ish-KLD-ja, vazhdoj të mbetem jashtë vendit, e bllokuar nga situata e pandemisë. Kjo e bën të pamundur aksesimin dhe ballafaqimin me dokumentet e nevojshme për plotësimin e tabelës, të cilat mund t’i siguroj vetëm në Shqipëri. Në këtë situatë pamundësie objektive, do të kërkoja mirëkuptimin tuaj për të vazhduar komunikimin në një moment të mëvonshëm, kur të jem kthyer në Shqipëri”.
Komisioni i Vetingut ka vijuar t’i kërkojë gjyqtares Evjeni Sinojmerin që të shpjegojë në lidhje me shkakun ligjor të mosparaqitjes së saj në punë, por gjyqtarja nuk është përgjigjur më. Komisioni i Vetingut i ka kërkuar më tej nga gjyqtarja t’u përgjigjej pyetjeve, të paraqiste dokumentacion si dhe të caktonte një avokat, por gjyqtarja nuk është përgjigjur më.
Në 8 prill 2021, KPK-ja ka njoftuar në rrugë elektronike gjyqtaren Evjeni Sinojmeri mbi rezultatin e hetimit, duke i kaluar barrën e provës për justifikimin e pasurisë. Në 21 prill 2021, gjyqtarja ka pohuar se
ndodhej jashtë vendit dhe se nuk kishte mundësi të vinte në Shqipëri, për shkak të situatës së pandemisë globale, pasi i rrezikohej shëndeti. Ndër të tjera, Sinojmeri ka shpjeguar se në këto kushte, në mungesë të saj dhe të familjarëve të saj, e ka të pamundur të administrojë dokumentacion dhe prova që i takojnë një periudhe 30-vjeçare për të provuar pretendime e saj. Meqenëse, këto pretendime ishin thjeshtë deklarata, Komisioni i Vetingut ka vijuar me zhvillimin e seancës dëgjimore, duke shkarkuar më pas gjyqtaren.
Disa ditë më parë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka paraqitur një kërkesë në Këshillin e Lartë Gjyqësor një kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Evjeni Sinojmeri nga detyra, pasi prej një viti nuk paraqitet në punë pa arsye. Formalisht, kërkesa e ILD-së nuk ka lidhje me shkarkimin e parë nga Vetingut, por në fakt kjo situatë e pazakontë është prodhuar nga frika e përballjes me Vetingun. Në vitin 2018, disa gjyqtarë aplikuan për leje dyvjeçare në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, para se KLD-ja të shkrihej, për t’u zëvendësuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Një leje të dyshimtë prindërore arriti ta merrte edhe ish-gjyqtari i Apelit, Gjin Gjoni, i cili ishte në të njëjtën kohë edhe anëtar i KLD-së. Këto lëvizje u kritikuan nga Ambasada Amerikane në Tiranë, si përpjekje për të shmangur përballjen me Vetingun. Gjin Gjoni, pasi i mbaroi leja prindërore dyvjeçare, dha dorëheqjen nga drejtësia, fillimisht me pretendimin se Vetingu ishte politik dhe më pas me pretendimin se Partia Demokratike e kishte propozuar për deputet. Por, para se të merrte leje për veten e tij, Gjin Gjoni votoi për një leje dyvjeçare për Evjeni Sinojmerin.
Gjyqtarja kishte kërkuar leje për një periudhë 3-vjeçare, për të asistuar në kurimin e një anëtari të familjes. Në mbledhjen e datës 9 shkurt 2018, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me në krye Ilir Metën, ka miratuar lejen për Evjeni Sinojmerin për një periudhë dyvjeçare, duke filluar nga data 01.04.2018. Pro lejes për gjyqtaren që iu shmang Vetingut kanë votuar kryetari Ilir Meta, si dhe anëtarët Gjin Gjoni, Xhezair Zaganjori, Vangjel Kosta, Eneida Civici, Brunilda Kadi, Ridvan Hado, Gerd Hoxha dhe Neritan Cena. Ilir Meta drejtonte KLD-në në atë kohë në cilësinë e Presidentit të Republikës. Në mbledhje kanë munguar Astrit Haxhialushi, Artan Broci, Etilda Gjonaj dhe Petrit Çomo.
Dyshimet për një leje të mundshme abuzive thellohen në kushtet kur, nga procesverbali i mbledhjes së siguruar nga Shqiptarja.com, rezulton se anëtarët kanë fikur mikrofonat gjatë diskutimeve për çështjen e Evjeni Sinojmerit, diçka e pazakontë. Të paktën kështu pretendohet në procesverbalin e KLD-së, ku thuhet se “Duke qenë se mikrofonat kanë qenë të fikur, pjesa e vendimmarrjes nuk është regjistruar. Anëtarët bien dakord me kërkesën e gjyqtares Evjeni Sinojmeri, duke i dhënë leje për dy vjet...”.
Ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjatë përballjes me procesin e Vetingut, janë kritikuar ashpër nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtarë të Monitorimit pasi kanë votuar pro dhënies së lejeve abuzive dyvjeçare për gjyqtarët. Ish-anëtarët e KLD-së janë mbrojtur duke thënë se vendimmarrjet kanë qenë kolegjiale. Por, sipas vazhduesve ndërkombëtarë votimi pro ose kudra është një përgjegjësi individuale.
Po kush është Evjeni Sinojmeri? Gjyqtarja ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Nga viti 2001 deri në vitin 2010 ka qenë anëtare e Gjykatës së Lartë. Në vitin 2011 u shkëput nga drejtësia, duke punuar si këshilltare e ministrave të Sali Berishës në Ministrinë e Drejtësisë deri në vitin 2013. Në 15 janar të vitit 2013, presidenti Bujar Nishani dekretoi emërimin e Evjeni Sinojmerit në Gjykatën e Apelit. 7 muaj më vonë, ajo do të merrte një nga dosjet më të rëndësishme, atë të 21 Janarit, dosje nga e cila ‘quhet’ edhe gjyqtarja e 21 Janarit.
Evjeni Sinojmeri, Agim Bendo dhe Ervin Metalla, në shtator të vitit 2013, shpallën vrasjet e 21 Janarit si vrasje nga pakujdesia, ashtu siç donin në fakt Sali Berisha dhe Lulzim Basha, dy të akuzuarit nga socialistët për masakrën e 21 Janarit në bulevard. Tre gjyqtarët dënuan me vetëm vit burg ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen Faik Myrtajt si dhe me 3 vjet burg Agim Llupon i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Sot asnjëri nga tre gjyqtarët nuk janë më pjesë e drejtësisë për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut.
Kjo paska miq te forte,por dhe u ka bere sherbime te medha dhe u shperblye mire per to.Kur thote ne 21.4.21 se nuk vjen dot se i rrezikohet shendeti,me mire te thoshte me rrezikohet interesi.Jam kurioze ajo <<leja speciale>> me pagese eshte? S.d.q. ne se ju a do me te vertete puna,merrni nje flete-kerkese nga gjykata dhe j'ua sjell FBI ne shtepi te paketuar e me fjongo roze siper.
PërgjigjuFlet pa pergjegjesi fare moj cupe! Cfare drejtesie Te shenjte kerkoni Te kemi kur nuk jeni limite dhe code ne mbrojten e imazhit te figurave te drejtesise. Koropsioni duhet luftuar ne cdo drejtim dhe duhet te filloje nga shtypi qe bene para me thashe theme dhe genjeshtra qe demtojne dhe bejne shantazhe me njeriun. Kjo dobeson cdo sentir te jetes. Bota ka ligje dhe kufije dhe Etike per shtypin si per cdo profession tjeter!!
Ok, easyyy Kur flet bazuar vetem ne kete artikull. Asgje e vertete nga ato qe thuhen me larte me negativitet. Evjenia, shoqe e femijerise, nuk m’u di te vente ne pune, jo vetem nga pandemia
Sipas llogjikes tende zonje e nderuar, gjyqtarja ne fjale I ka bere ndere PS, sepse ne dy ceshtjet me te rendesishme qe jane Gerdeci dhe 21 janari gjyqtarja ka dale kundra. Kete fakt nuk e di as to (dhe ty te falet) dhe as gazetarit amator, qe sigurisht po luan loje politike duke shoerndare lajme te rreme dhe qe per kete do ti duhet te japi llogari perpara ligjit. Nqse ju besoni se Amerika nuk di ke strehon ne gjirin e saje dhe se gjyqtarja "fshihet" ne Amerike atehere dyshoj per IQ tuaj!